Policia e Shtetit ka marrë masa për mbarëvajtjen e sezonit turistik në vendin tonë.

 

Nëpërmjet një njoftimi për mediat, Policia e shtetit bën me dije se të gjithë qytetarët dhe subjektet se duke filluar nga dita e sotme, deri më datë 15.09.2023, gjatë fundjavës dhe ditëve të festave, do të ketë kufizime për të gjitha kategoritë e mjeteve rrugore si më poshtë:

 

Mjetet rrugore për transportin e mallrave me peshë të përgjithshme të autorizuar, mbi 7500 kg;

Mjetet rrugore me ngarkesë të pandashme, me gjatësi maksimale më të madhe se 12 m (transporte me mjete jashtë norme ose transporte në kushte jonormale);

Mjetet rrugore bujqësore që kanë shpejtësi më të vogël se 40 km/orë;

Mjetet rrugore që kalojnë përmasat kufitare, sipas nenit 61 të Kodit Rrugor;

Mjetet rrugore që shërbejnë për kursantët e autoshkollave mësimore.

-Kufizimet e lëvizjes përfshijnë akset e mëposhtme:

 

“PKK Muriqan-Shkodër” dhe anasjelltas; “PKK Hani i Hotit-Shkodër” dhe anasjelltas, “Plazhi i Zogajt-Shkodër” dhe anasjelltas, “Plazhi i Shirokës-Shkodër” dhe anasjelltas, “Plazhi i Velipojës-Shkodër” dhe anasjelltas;

”Shkodër-Lezhë”, “Lezhë-Shëngjin”, “Lezhë-Patok” dhe anasjelltas;

”Durrës-Tiranë”, “Durrës-Gjiri i Lalëzit”, “Durrës-Currila”, “Durrës-Kavajë”, “Kavajë-Plazhi i Gjeneralit”, “Kavajë-Spille”, “Kavajë-Kthesa e Divjakës-Lushnjë” dhe anasjelltas;

”Lushnjë-Fier”, “Fier-Seman”, “Fier-Plazhet e Poros” dhe anasjelltas;

”Vlorë-Palasë-Dhërmi-Vuno-Himarë-Qeparo-Borsh-Bunec-Sarandë” dhe anasjelltas;

”Sarandë-Butrint”, “Elbasan-Pogradec”, “Elbasan-Rrogozhinë” dhe anasjelltas;

”Qafë Thanë-Lin-Pogradec-Tushemisht” dhe anasjelltas;

”Tepelenë-Gjirokastër-Kakavijë” dhe anasjelltas;

”PKK Morinë-Kukës-Milot-Durrës-Lezhë” dhe anasjelltas;

”PKK Qafë Morinë-Bajram Curri” dhe anasjelltas.

-Këto kufizime lëvizjeje parashikohen në ditët dhe në oraret si më poshtë:

 

Të premten, nga ora 15:00-22:00;

Të shtunën, nga ora 08:00-12:00 dhe nga ora 16:00-22:00;

Të dielën, nga ora 07:00-22:00.