Dy nga qytetarët që janë liruar pas ndalimit 48 orësh në Serbi, janë kthyer në Kosovë dhe kanë shpjeguar për mediat si ndodhi deri te arrestimi i tyre.
Dervish Maliqi e Esat Muqolli deklaruan se ishin rrugës për në Gjermani kur u ndaluan nga policia dhe u dërguan në Kurshumli.
Qytetarët deklaruan se policët u kanë thënë se arrestimi i tyre s’ka bazë, por është çështje politike.
“Civilët na kanë dërguar në stacion policor. Thoshin që s’ka asnjë akuzë me bazë, vetëm politikë”, tha qytetari Maliqi.
Ndërsa theksoi se s’kanë pasur keqtrajtime fizike dhe se familjarët i kanë njoftuar për arrestimin, më pas atyre ua kanë marrë telefonat.
I njëjti shtoi se udhëtimin për në Gjermani do ta vazhdojnë nga rruga Mali i Zi-Kroaci.
“Kemi qenë duke shkuar për Gjermani, si jemi dalë na kanë ndalu, na morën dokumentet veç na kanë thanë parkoje xhipin dhe na kanë shti në xhip na kanë çuar në Kushumli, kemi nejt 2 orë s’kemi ditë kurgjë”, tha qytetari Muqolli.
“Policët e tjerë na kanë trajtuar shumë mirë se edhe ata çuditeshin për këtë rast dhe secili polic thoshte se kjo është vetëm politikë”, u shpreh qytetari Maliqi.
Gjithashtu ata thanë se janë liruar edhe dy kosovarët e tjerë, të cilët nuk i kanë njohur më parë.