Zëdhënësi i Bashkimit Evropian (BE) për Politikë të Jashtme, Peter Stano, ka deklaruar se BE-ja është e shqetësuar për dy vendimet e fundit të palës kosovare, atë të rregullores së re te Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) dhe mbylljen e institucioneve serbe në Kosovë.
Siç tha Stano, këto hapa po sjellin shqetësim për shkak se nuk po i kontribuojnë de-përshkallëzimit të situatës dhe se zakonisht ato “nuk janë të ndërmarra me koordinim, janë të njëanshme apo të ndërmarra pa nivelin e duhur të konsultimit në mënyrë që të shmangin ndikimin negativ tek qytetarët”.
Stano po ashtu tha se nuk sheh rrezik për bllokim të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, pavarësisht mungesës së përparimit në disa prej takimeve të fundit.
“Dialogu po vazhdon dhe puna jonë për t’u ndihmuar palëve që më në fund të fillojnë të sillen në mënyrë konstruktive dhe ato të lëvizin përpara po vazhdon. Nuk kemi frikë nga ndonjë 'status-quo', në fakt nuk i frikësohemi asgjëje në këtë aspekt. Por vetëm kemi frikë që njerëzit në Kosovë dhe në Serbi të mbesin jashtë dhe prapa asaj që është për ta e rëndësishme, procesit të integrimit”, theksoi Stano.
Ai theksoi se përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell dhe emisari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, po punojnë me partnerët në rajon dhe ndërkombëtarët brenda e jashtë BE-së për të mundësuar që të dyja palët të fillojnë të bëjnë hapa që do të lejojnë të vazhdohet në dialog, si dhe të zbatohet ajo që është arritur pranverën e kaluar në Bruksel dhe Ohër.
Kosova dhe Serbia arritën Marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve dhe Aneksit për zbatimin e saj në fillim të vitit 2023, por sipas BE-së ato nuk janë duke u zbatuar nga palët./aa