Kryeministri Edi Rama ka publikuar në rrjetet sociale pamje nga plazhi i Durrësit ku ka përfunduar faza e parë e investimit të shëtitores.

 

Rama shprehet se me fazën e parë të projektit të Rilindjes së plazhit të Durrësit, tanimë një pjesë e shëtitores së re është gati për sezonin turistik.

 

Shëtitorja në vijën bregdetare të Durrësit një nga zonat turistike më të frekuentuara gjatë verës nga pushues vendas e të huaj, ka korsi të dedikuara për këmbësorët dhe biçikletat.

 

Ky investim përfshin realizimi i një shëtitoreje prej tre kilometrash përgjatë gjithë shtrirjes së plazhit, me gjelbërim të shtuar, parqe dhe hapësira sportive për të siguruar një lidhje shumë të nevojshme nga Ura e Dajlanit drejt Kavalishencës.

 

Midis shëtitores dhe zonës se plazhit, do ngrihen stacione me pajisje sportive për aktivitete fizike në natyrë, si dhe krijimi i zonave për ushtrimin e sporteve ujore.

 

Projekti investues parashikon që përgjatë shëtitores do ketë dhe zona të dedikuara për fëmije, hapësira për pjesën e plazhit, stacionet e plazhit, hapësira shërbimi, si dhe rikonstruksionin e fasadave të godinave.

 

Bazuar në modelin e krijuar tashmë në Vlorë, Lunogmarja e Durrësit është një projekt i cili parashikon ta rikonceptojë këtë zonë në përputhje edhe me kërkesat gjithnjë e në rritje të turistëve, por edhe t’i japi një impakt të ri ekonomik bizneseve që operojnë aty.