Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani u takua sot me Kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenkoviç. Gjatë takimit u konfirmua bashkëpunimi në frymën e partneritetit strategjik mes dy vendeve. Po ashtu, gjatë takimit, kryediplomati shqiptar falënderoi qeverinë e Kroacisë për mbështetjen e vazhdueshme, që i ka dhënë Shqipërisë në rrugën drejt integrimit evropian.

Në një postim në rrjetet sociale, Hasani duke ndarë foto të takimit me Plenkoviç, bëri të ditur se ka nisur vizitën e tij zyrtare në Kroaci, ku do të zhvillojë një seri takimesh.

“Shpreha mirënjohjen e qeverisë shqiptare për marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve tona dhe mbështetjen e vazhdueshme që Kroacia i ka dhënë Shqipërisë drejt integrimit europian. Ne presim bashkëpunimin me qeverinë kroate në të njëjtën frymë partneriteti strategjik, në të gjitha nivelet dhe në të gjitha fushat me interes të përbashkët”, shkruan Hasani.

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, gjatë vizitës në Kroaci, pritet të takohet me ministrin e  Punëve të Jashtme Gordan Grlić-Radman. Ministri Hasani gjithashtu do të marrë pjesë në çeljen e ekspozitës fotografike “Shqiptarët në Kroaci”.

Kjo është vizita e parë zyrtare e Ministrit Hasani në Zagreb, dhe vjen si shprehje e vullnetit të përbashkët për të thelluar dhe zgjeruar bashkëpunimin dypalësh, rajonal dhe më gjerë, në të gjitha fushat me interes të përbashkët, por edhe për të bashkërenduar përpjekjet tona për anëtarësimin sa më të afërt në familjen evropiane.

Vizita do të shërbejë, gjithashtu, si një rast inkurajimi i Tiranës zyrtare dhe Zagrebit zyrtar për të vazhduar bashkëpunimin në kuadër të procesit tonë të integrimit evropian, si edhe të nxitjes së bashkëveprimit në realizimin e projekteve të përbashkëta./ata