Shkalla e papunësisë në ekonominë shqiptare shënoi një rritje të lehtë për të dytin tremujor radhazi.
Të dhënat e INSTAT treguan se shkalla zyrtare e papunësisë për tremujorin e parë të vitit u rrit në 10.9%, nga 10.8% që kishte qenë në tremujorin e mëparshëm.
Megjithatë, shkalla e punësisë në ekonomi ngelet në nivele më të ulëta krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kur ishte në nivelin 11.3%.
Gjatë tremujorit të parë, treguesi i papunësisë pësoi rënie të lehtë për meshkujt, në 10.6% nga 10.7% që kishte qenë në tremujorin e mëparshëm, por shënoi një rritje të lehtë për femrat, në 11.1%, nga 11% që kishte qenë në tremujorin e fundit të vitit të kaluar.
Sipas grupmoshave, papunësia shënoi rritje të ndjeshme mes të rinjve. Shkalla e papunësisë për grupmoshën 15-29 vjeç u rrit në 22.5%, nga 21.5% që kishte qenë në tremujorin e mëparshëm.
Shkalla e papunësisë së të rinjve vazhdon të jetë mbi dy herë më e lartë krahasuar me mesataren e ekonomisë. Pas një tendence në rënie në gjysmën e dytë të vitit 2021 dhe gjysmën e parë të vitit 2022, në tremujorët e fundit ky tregues paraqitet përsëri në rritje.
Shkalla e papunësisë shënoi rritje të lehtë edhe për kontigjentin më të konsoliduar në tregun e punës, atë midis 30-64 vjeç. Shkalla e papunësisë në këtë segment u rrit në 7.8%, nga 7.6% që kishte qenë një tremujor më parë.
Rritja e shkallës së papunësisë në ekonomi ka reflektuar kryesisht një rritje më të madhe të pjesëmarrjes në forcat e punës krahasuar me rritjen e nivelit të punësimit.
Shkalla e punësimit për popullsinë 15-64 vjeç u rrit në 67.1%, nga 66.5% që kishte qenë një tremujor më parë, duke shënuar një rekord të ri historik. Shkalla e punësimit është rritur si për grupmoshën 15-29 vjeç, ashtu edhe për atë nga 30-64 vjeç, çka tregon se tendenca e përgjithshme e punësimit ecuria e punësimit ka qenë pozitive.
Por, rritja e papunësisë i detyrohet një rritje më të lartë të shkallës së pjesëmarrjes në forcat e punës.
Ky tregues për tremujorin e parë arriti në 75.7%, në rritje me 0.9 pikë përqindje krahasuar me tremujorin e fundit të vitit të kaluar. Shkalla e pjesëmarrjes në forcën e punës është raporti i forcës së punës (të punësuar plus të papunë punëkërkues) kundrejt popullsisë në moshë pune.
Në teori, rritja e shkallës së pjesëmarrjes në forcën e punës mund të lidhet me pakësimin e popullsisë ekonomikisht jo-aktive, si për shembull të segmentit të studentëve apo të papunëve të dekurajuar. Në fakt, sipas INSTAT, pesha e të papunëve të dekurajuar ndaj popullsisë ekonomikisht jo-aktive ra në 5% në tremujorin I 2023, nga 9.3% që kishte qenë në tremujorin e mëparshëm.
Sipas sektorëve, duket se ndikimin kryesor në rritjen e punësimit gjatë tremujorit të dytë e ka dhënë shërbimet, me 6.3% më shumë krahasuar me një vit më parë dhe 1.4% më shumë krahasuar me fundin e vitit të kaluar. Ndërkohë, punësimi në industri dhe bujqësi ka shënuar rritje me bazë vjetore, por paraqitet në rënie krahasuar me fundin e vitit të kaluar./Monitor