Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se në fillim të javës së ardhshme do të japë përgjigje në lidhje me ftesën e Borrell për një takim urgjent në Bruksel për menaxhimin e krizave.

 

“Unë pata kërkuar që takimi të jetë në javën që po shkon në Bruksel me urgjencë dhe kam propozuar planin pesë pikësh. Mirëpo, tash kemi një kërkesë që takimi të jetë javën e ardhshme. Njëherë u tha data 22, pastaj 23 dhe sërish data 22. Unë do ta diskutojë me ekipin tim dhe me siguri që do të japim një përgjigje në fillim të javës së ardhshme”, tha Kurti.

 

Ai po ashtu foli edhe për shkresën që kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Andin Hoti ia ka dërguar Serbisë, për të kërkuar arkivat që do të ndihmojnë në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur me force gjatë luftës.

 

“Nga Serbia nuk kemi asnjë përgjigje për letrën që ka dërguar Hoti për hapjen e arkivave atje në mënyrë që të merret vesh e vërteta dhe të mundësohet drejtësia për të pagjeturit”, tha ai.