Tre persona janë vënë në pranga në Durrës në kuadër të operacionit të koduar “Flower”, kundër ushtrimit të prostitucionit.

 

Policia bën me dije se bëhet fjalë për B. K., 25 vjeç, banues në Fier dhe Xh. K., 30 vjeç, banues në Kavajë, si dhe shtetasen L. T., të cilët akuzohen për veprat penale “Ushtrimi i prostitucionit” dhe “Shfrytëzimi i prostitucionit”, kryer në bashkëpunim.

 

B.K. dhe Xh. K., në bashkëpunim me njëri-tjetrin, shfrytëzonin për prostitucion shtetasen L. T., duke i siguruar asaj klientë të ndryshëm dhe hotele në qytetet e Durrësit, Kavajës, Lushnjes dhe Fierit, kundrejt pagesave që varionin nga 80-150 euro.

 

Gjithashtu, këta shtetas siguronin automjetet me të cilat transportonin këtë shtetase dhe merrnin personat që kishte kontaktuar ajo, me qëllim ushtrimin e prostitucionit në ambiente të ndryshme në qytetet e sipërpërmendura.

 

Gjatë kontrollit fizik, shtetases L. T. iu gjet një sasi me lëndë narkotike kokainë, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

 

Në kuadër të operacionit është arrestuar edhe shtetasi E. Z., 24 vjeç, banues në Durrës, për veprën penale “Shfrytëzimi i prostitucionit”.

 

Gjithashtu, në vijim të veprimeve u shpallën në kërkim shtetasit V. T. dhe M. V., për veprat penale “Ushtrimi i prostitucionit” dhe “Shfrytëzimi i prostitucionit”, kryer në bashkëpunim.

 

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 5 celularë, 300 000 lekë, 200 euro dhe një automjet tip “Ford Fiesta”.

 

Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për hetime të mëtejshme.