Në Lezhë u asgjësuan nëpërmjet djegies, 500 bimë narkotike kanabis sativa që u gjetën të kultivuara në tokë, në fshatin Kashnjet.

 

Shërbime të Policisë së Lezhës, të pajisura me dronë, kanë vijuar kontrollet intensive në terren dhe nga ajri, me prioritet zonat e thella malore, me risk përsa i përket kultivimit të bimëve narkotike, në zbatim të planit operacional mbarëkombëtar, me fokus parandalimin, konstatimin dhe goditjen e kësaj veprimtarie kriminale.

 

Nga këto kontrolle u finalizua faza e 12-të e megaoperacionit “Imazhi”, si rezultat i së cilës, në fshatin Kashnjet, njësia administrative Ungrej, Lezhë, në një pronë publike, u gjetën të kultivuara në tokë, 500 bimë narkotike kanabis sativa, të cilat u asgjësuan nëpërmjet djegies.

 

Policia e Lezhës, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, vijon veprimet hetimore, me qëllim identifikimin dhe arrestimin e autorit/ëve të kësaj veprimtarie kriminale.

 

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.