Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka bërë të ditur se mbrëmë njësitet e para profesionale të Policisë dhe FSK-së kanë shkuar në Maqedoni të Veriut, ku në aksin rrugor Shkup – Bllacë, një familje nga Kosova ka rënë në lumin Lepenc.

 

Sveçla ka bërë të ditur se aktualisht ndodhen 30 pjesëtarë të Policisë së Kosovës, Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe vullnetarë profesionistë të kërkim shpëtimit, të cilët në koordinim dhe bashkëveprim me ekipet profesionale të Maqedonisë së Veriut po punojnë në lokalizimin dhe nxjerrjen e personave nga lumi.

 

“Institucionet e Republikës së Kosovës në këto momente të vështira qëndrojnë pranë familjarëve të të prekurve nga ky aksident dhe përkundër të gjitha sfidave, kanë ngritur të gjitha kapacitetet që të kemi rezultate sa më të shpejta.”, ka shkruar Sveçla në Facebook.

 

Sot, më herët, ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka dhënë informacione lidhur me aksidentin që ka ndodhur dje në Maqedoninë e Veriut, ku një veturë me targa të Republikës së Kosovës ka humbur drejtimin dhe ka përfunduar në lumin Lepenc. Në veturë kanë qenë katër pjesëtarë të një familjeje nga Kosova. Njëri prej tyre ka arritur që të dalë nga lumi Lepenc, përderisa të tjerët janë në kërkim./KosovaPress/