Një ruse që jeton prej vitesh në Shqipëri, duke folur rrjedhshëm dhe shqipen, ka tjetër perceptim për vendin tonë nga ai i shqiptarëve.

“Shqipëria na ofron të gjitha mundësitë për të krijuar jetën siç duam, pavarësisht, ankesave dhe mendimeve negative të shumë shqiptarëve, unë realisht shikoj shumë mundësi për një jetë të bukur në Shqipëri”, thotë Alla Simacheva, e cila mbërriti në Tiranë 18 vjet më parë, në një kohë e realitet tjetër nga ky i sotmi. E ka sjellë dashuria fillimisht, nga Moska në kryeqytetin shqiptar.

“Përpara se të vizitoja Shqipërinë për herë të parë, zgjodha të mos lexoja asgjë në internet dhe të krijoja përshtypjet e mia. Takimi i parë me Shqipërinë ndodhi para 18 vitesh, kur do të takoja familjen e ish-bashkëshortit shqiptar. Isha shumë e re dhe e guximshme dhe pavarësisht jetës së sistemuar mjaft mirë në Moskë, nuk mendova gjatë për t’u transferuar në Tiranë”, thotë ajo për VoxNews.

“Ndjenjat për Shqipërinë ishin shumë të miksuara, më dukej sikur isha në një tjetër realitet”, thotë ajo kur kujton fillimet. “Normalisht, Tirana para 18 vitesh nuk ishte njësoj si Tirana e sotme. Çuditesha, se si ka mundësi që një vend kaq i bukur të ketë kaq shumë kontraste. Mikpritja e shqiptarëve dhe ngrohtësia e njerëzve më bënte përshtypje për mirë dhe njëkohësisht rrëmuja dhe zakoni i vjetër i hedhjes së mbeturinave nga dritaret, më habiste negativisht, ose hedhja e mbeturinave në det apo në lum”.

Por paçka këtyre, ajo habitet se pse shqiptarët ankohen shumë, pasi ka tjetër gjykim mbi realitetin e këtyshëm.

“Shqiptarët ankohen shumë dhe për çdo gjë: për vapën, për të ftohtin, për shiun, për diellin, për trafikun, për politikën, për tezen, hallën, komshiun. Dhe ndërkohë që ankohen, gjithashtu, vrasin shumë mendjen për mendimin dhe aprovimin e të tjerëve.

Ndërkohë që harxhojmë kohën dhe energjinë për të ankuar, ne nuk jetojmë jetët tona por jetojmë jetët e të tjerëve.

Në fakt, shumë shpejt, u infektova dhe unë me mendimet negative gjatë viteve të para në Shqipëri. Aq shume kisha dëgjuar shprehjen ‘jemi në Shqipëri, këtu gjërat nuk funksionojnë’, që vërtet e besoja për një kohë të gjatë deri sa zbulova që nuk është e vërtetë”, thotë kjo ruse gati e shqiptarizuar.

Tjetër gjë për të cilën është kritike ndaj shqiptarëve, zvarritja e punëve.

 “Të shtyjmë jetën për më vonë. Kur themi për diçka që duam të bëjmë, themi ‘nesër’, shtojmë dhe ‘kismet’, ‘nesër kismet’. Këtë unë e përkthej që asgjë nuk do të bëhet fare, sepse është thjesht një zakon për të zvarritur gjërat”, përfundon Alla Simacheva. /tesheshi.com/