Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani deklaroi se nëntë shtetasit e Maqedonisë së Veriut, të cilët u gjetën në zonën e goditur nga tërmeti në Türkiye, janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe janë nisur për në Ankara.

 

Osmani në Ministrinë e Jashtme iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve, ku është pyetur edhe për ngjarjet pas tërmetit që goditi dje Türkiye-n.

 

"Sot në mëngjes rreth orës 2 pas mesnate diplomati ynë më dërgoi një foto bashkë me nxënësit tanë. Të gjithë janë shëndosh, mirë dhe tashmë janë nisur për në Ankara, ku do të qëndrojnë sonte dhe do të nisen me autobus për në Shkup. Kështu, të gjithë janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe i lënduari që ka marrë kujdes shëndetësor është në gjendje të mirë, pa pasur nevojë për asnjë ndërhyrje kirurgjikale. Të gjithë së bashku janë larguar, tashmë janë në rrugë për në Ankara", tha Osmani.

 

Ai theksoi se nga fotografia që ka marrë shihet se janë në disponim të mirë, ndërsa ka shtuar se presin që të arrijnë në Shkup dhe se do të kujdesen për ta.

 

"Njëri është i lënduar, tjetri vetëm është kontrolluar. Një tjetër kishte nevojë për imobilizimin e një gjymtyre. Mirëpo edhe ai është në gjendje të mirë shëndetësore dhe të gjithë së bashku janë nisur për në Ankara", tha ministri Osmani.

 

Osmani përkujtoi se dje kanë mbajtur një seancë të jashtëzakonshme në Qeveri, ku ka pasur rastin të informojë për zhvillimet në Türkiye.

 

Sipas tij, gjatë seancës kanë arritur të krijojnë një trup koordinues dhe të obligojnë institucionet që të veprojnë në lidhje me ndihmën.

 

"Institucione të caktuara që në këtë seancë erdhën me vendime konkrete dhe mjete që mund t'i ofrojnë. Nuk e di saktësisht nëse janë nisur, por sot në mëngjes është dashur të nisen ekipet e para të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim. Gjithashtu edhe Ministria e Mbrojtjes sot duhet t'i dërgojë mjetet e ndihmës si dhe Ministria e Financave duhet t'i dërgojë mjetet e para financiare", tha ai.

 

"Kështu, për këtë arsye e mbajtëm që dje seancën e jashtëzakonshme, në mënyrë që institucionet të koordinohen gjatë natës dhe ndihma të dorëzohet sot në mëngjes, sepse tani është çështje kohe. Sipas informacioneve që kemi, kushtet atmosferike janë shumë të këqija. Udhëtimi i ekipit tonë nga Ankaraja deri në lokacion ishte shumë i vështirë për shkak të kushteve atmosferike. Pra, të gjitha këto janë rrethana vështirësuese. Nëse duhet të reagojmë, duhet të reagojmë sot, duhet të reagojmë menjëherë derisa është koha kur mund të shpëtojmë jetë", theksoi ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani./AA