Gjatë 48 orëve të fundit, Policia ka vijuar zbatimin e planit të masave për kontrollin e territorit, me qëllim parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike, të ndotjes akustike dhe të veprimtarive të tjera që cenojnë rendin dhe sigurinë.

 

Sipas njoftimit të policisë, gjatë fundjavës u zhvillua megaoperacioni për kontrollin e territorit, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike.

 

Megaoperacioni ka vijuar në Krujë, Kurbin, Mirditë, Vaun e Dejës dhe në Shosh, Shkodër. Në operacion u përfshinë 210 punonjës policie, të cilët kanë përdorur 12 dronë për kontrollin e zonave të thella malore dhe atyre me terren të vështirë.

 

Sipas njoftimit, gjatë megaoperacionit janë evidentuar dhe asgjësuar 3 095 bimë dhe fidanë cannabis sativa. Janë shpallur në kërkim 8 shtetas të dyshuar të implikuar në këtë veprimtari kriminale.

 

Gjithashtu, për goditjen e kësaj veprimtarie kriminale është finalizuar në Elbasan, operacioni policor i koduar “Çereshta”. Gjatë operacionit u evidentuan 580 fidanë të dyshuar narkotikë cannabis sativa, gati për t’u mbjellë në një sipërfaqe toke të hapur rishtas në një zonë të pyllëzuar dhe të thellë malore. Falë veprimeve hetimore u identifikuan dhe u shpallën në kërkim 2 autorët e dyshuar të kësaj veprimtarie kriminale.

 

Pas 6 muajsh hetime proaktive, nga strukturat e DVP Korçë dhe Prokuroria e Korçës, u finalizua operacioni policor i koduar “Knock Down 3”. Në kuadër të këtij operacioni u proceduan penalisht 43 shtetas, nga të cilët 10 të ndaluar, 6 të arrestuar në flagrancë, 3 të shpallur në kërkim dhe 24 të tjerë po hetohen në gjendje të lirë. Gjatë operacionit u sekuestruan në total 9 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis, 388 gramë kokainë, 1 armë zjarri, municion luftarak, fidanë kanabis, llamba led, 9 automjete, 6 peshore elektronike, 28 celularë dhe shuma parash dhe eurosh, të përfituara nga veprimtaria kriminale.

 

Operacioni i përbashkët i Policisë së Shtetit me partnerët amerikanë, i koduar “PBF”, goditi veprimtarinë kriminale të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve nëpërmjet pasaportave të falsifikuara. Sipas njoftimit të Policisë, operacioni zbuloi dhe goditi një rrjet të falsifikimit të pasaportave diplomatike, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufijve drejt SHBA-së. Dy shtetas u vunë në pranga, disa të tjerë janë në hetim.

 

Për goditjen e veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë, kundrejt pagesës, për kalim të paligjshëm të kufirit, është finalizuar edhe operacioni policor i koduar “Border 8”, në Sarandë. 3 shtetas që transportonin me 3 automjete, kundrejt pagesës, 13 emigrantë që do të kalonin ilegalisht në vendet e BE-së, u vunë në pranga. U shpall në kërkim bashkëpunëtori i tyre, i cili lëvizte me automjetin e tij, para 3 automjeteve me emigrantët, për të monitoruar rrugën, për prezencën e shërbimeve të Policisë.

 

Operacioni policor i përbashkët mes Policisë së Shtetit dhe Policisë italiane, i koduar “Genova”, u finalizua me kapjen në Shëngjin, të një shtetasi të shpallur në kërkim ndërkombëtar për trafikimin e 100 kg kokainë dhe për pengmarrje. Vijojnë procedurat për ekstradimin e tij.

 

Grupe kontrolli në të gjitha qendrat urbane dhe në zonat bregdetare, kanë vijuar kontrollet për parandalimin e ndotjes akustike. Gjatë kontrolleve janë evidentuar 6 raste të ndotjes akustike dhe janë proceduar penalisht 6 shtetas, pronarë dhe menaxherë të disa subjekteve, pasi prishën qetësinë publike duke vënë muzikë të lartë. Pajisjet që gjeneronin muzikën janë sekuestruar nga Policia.

 

Pas 4 muajsh hetime, nga strukturat e policisë së Durrësit dhe Prokuroria e Durrësit, u finalizua operacioni policor i koduar “Flower”, për goditjen e veprimtarisë së kundërligjshme në fushën e prostitucionit.  4 shtetas të përfshirë në këtë veprimtari u vunë në pranga, 2 të tjerë u shpallen në kërkim.  U sekuestruan 300 000 lekë, 200 euro, 5 celularë, një automjet dhe një sasi lënde e dyshuar narkotike kokainë.

 

Operacioni policor i koduar “Livadhi”, në Himarë, zbardhi 6 vjedhje në banesa, të kryera gjatë muajve të fundit.  3 shtetas, bashkëpunëtorë për kryerjen e këtyre vjedhjeve, u vunë pranga, si dhe u sekuestruan pajisje dhe sende që i shërbenin kryerjes së kësaj veprimtarie.

 

Si rezultat i kontrolleve të vazhdueshme gjatë gjithë vijës bregdetare, nga shërbimet e Policisë Kufitare, janë bllokuar 3 mjete lundruese, 2 prej tyre për mungesë dokumentacioni (drejtuesit u proceduan me masa administrative) dhe tjetri pasi dyshohej se ishte i vjedhur në Australi (drejtuesi u procedua penalisht).

 

Shërbimet e Policisë Kufitare Dhërmi i’u kanë shkuar në ndihmë 2 turistëve çek që kishin ngelur në det dhe e kishin të pamundur kthimin në breg, me mjetin e tyre lundrues tip kajk, për shkak të dallgëve të larta.