Shërbëtori Publik i Inteligjencës Artificiale, Asistenti Virtual 1.0 i çdo qytetari në e-Albania, u prezantua sot në një takim në Tiranë, me pjesëmarrjen e kryeministrit Edi Rama.

Në aktivitetin e organizuar me këtë rast, Drejtoresha e i AKSHI-t, Linda Karçanaj, tha se, “sot jemi në një fazë shumë të rëndësishme të rrugëtimit tonë drejt inovacionit. Prezantojmë sot Asistenti Virtual të e-Albanias që është krijuar për të lehtësuar shërbimin e përditshëm të qytetarëve duke thjeshtuar dhe shpejtuar ndërveprimin me shtetin”.

Sipas saj, falë bashkëpunimit me gjigantin botëror të teknologjisë microsoft nga sot ne nisim përdorimin e teknologjisë së avancuar e cila do të mundësojë përgjigje të shpejta dhe shumë të qarta.

“Ky asistent nuk është thjeshtë një program kompjuterik është udhërrëfyesi dhe ndihmësi i qytetarëve, në dispozicion 24 orë në 7 ditë të javës dhe ju mund ta pyesni atë në çdo moment nga kompjuteri apo telefoni juaj dhe ai do t’ju përgjigjet menjëherë”, u shpreh Karçanaj.

Ajo vuri në dukje se interesi për pritshmërinë e asistentit do të jetë i lartë, ndaj theksoi ajo “për këtë arsye në mënyrë që shërbimi të jetë i aksesueshëm, ne kemi bërë të mundur që çdo qytetarë të kenë në dispozicion, një numër të kufizuar pyetjesh”.

Karçani tha se, “pyetjet që qytetarët do t’i bëjnë asistentit, do të na ndihmojnë të kuptojmë edhe problematikat dhe shqetësimin që kanë qytetarët, çka do t’i reflektojmë në përmirësimin e platformës”.

Përdorimi i IA, vijoi ajo, në një botë që udhëhiqet nga teknologjia nuk ka më kthim pas dhe ne do të rregullojmë përdorimin e saj.

“Në këto kushte ne kemi hartuar Strategjinë Kombëtare të IA, 2024 -2030 dhe shumë shpejtë do të miratojmë rregullat e përdorimit etik dhe të sigurt të kësaj teknologjie. Risi edhe më e madhe konkretisht do të jetë Asistenti Virtual, i cili do të jetë me zë dhe me figurë dhe do të jetë live brenda vitit 2024”, u shpreh Karçani.