Zgjedhjet në Kamëz nuk do të ribëhen. Gazetarja Klodiana Lala raportoi për “BalkanWeb” se Kolegji Zgjedhor vendosi të rrëzojë padinë e bërë nga koalicioni Bashkë Fitojmë.

 

 

Më herë ishte KAS që rrëzoi kërkesën e koalicionit “Bashkë Fitojmë” për bashkinë Kamëz. Koalicioni opozitar kërkoi marrjen e ekspertit të huaj ndërkombëtar për ekzaminimin e votimit elektronik në Bashkinë Kamëz.

 

Koalicioni kërkoi ekspertimin kompjuterik të çdo pajisjeje elektronike që është e pajisur me server për ruajtjen e të dhënave elektronike.

 

 

“Kjo të realizohet nga ekspertë të huaj të pavarur nga institucionet shtetërore apo Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Për këtë nevojitet që pajisjet të ruhen në kushte të përshtatshme në gjendjen aktuale me qëllim mosndërhyrjen nga personat e paautorizuar si dhe të mirëruajtura nga agjentet atmosferike”, shprehej koalicioni në kërkesën e tij.

 

Po kështu BF kërkoi krahasimin e rezultatit elektronik të zgjedhjeve me rezultatin fizik (fletëve të votimit të gjendura në kuti), për çdo qendër votimi dhe për këtë kërkohet një proces sa me transparent dhe gjithëpërfshirës;

 

– Këqyrjen e kamerave të jashtme dhe të atyre të përdorura brenda qendrave të votimit me qëllim evidentimin e të gjithë personave të paautorizuar apo pjesë e administratës vendore dhe qendrore në nivel specialist apo drejtuesi, që kanë qenë gjatë gjithë kohës nëpër qendra votimi, evidentimin e mosnënshkrimit të deklaratave përkatëse për votuesit që janë shoqëruar, evidentimin e votimit nga vetë operatorët e PEVN-ve, evidentimin e votimit të komisionerëve për llogari të votuesve.

 

– Krahasimin e kodeve të votuesve me listën e votuesve për çdo QV në Bashkinë Kamëz, në lidhje me pajisjen e identifikimit të votuesve (PED); Rinumërimin dhe Rivlerësimin e votave në të gjitha qendrat e votimit të njësisë zgjedhore, Bashkia Kamëz dhe miratim i tabelës përmbledhëse për zonën zgjedhore Bashkia Kamëz duke përfshirë në të rezultatin e dalë nga rinumërimi dhe rivlerësimi i votave; Pavlefshmëri të zgjedhjeve të zhvilluara në zonën zgjedhore Bashkia Kamez; si dhe së fundmi, pasi të jenë kryer veprimet e mësipërme dhe të keni krijuar bindjen Tuaj institucionale se kjo nuk është vota e qytetarëve, nga ana Juaj kërkojmë: Përsëritjen e zgjedhjeve për Kryetar të Bashkisë si dhe të Këshillit të Bashkisë Kamëz.