Një delegacion i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, i përbërë nga kryetarja e kësaj Gjykate, Holta Zaçaj, Sandër Beci, gjyqtar, si dhe Vilma Premti, drejtore e kabinetit, mori pjesë në Kongresin e XIX të Konferencës së Gjykatave Kushtetuese Evropiane me temë “Format dhe kufizimet e vetëpërmbajtjes gjyqësore: përvoja e gjykatave kushtetuese”, i cili u zhvillua në Kishinau, Moldavi, në datat 22 – 23 maj 2024, nën kryesinë e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Moldavisë.
Në Kongres merrnin pjesë kryetarë dhe përfaqësues të gjykatave kushtetuese dhe institucioneve ekuivalente evropiane që ushtrojnë kontroll kushtetues, anëtarë të Konferencës së Gjykatave Kushtetuese Evropiane, përfaqësues të tjerë të rëndësishëm, si Siofra O’Leary, kryetare e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, Claire Bazy Malaurie, kryetare e Komisionit të Venecies, si dhe përfaqësuesit më të lartë të shtetit në Republikën e Moldavisë.
Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë është anëtare me të drejta të plota e Konferencës së Gjykatave Kushtetuese Evropiane që prej vitit 2002 dhe ka marrë pjesë rregullisht në kongreset dhe veprimtaritë e organizuara në kuadër të kësaj anëtarësie. Konferenca e Gjykatave Kushtetuese Evropiane është themeluar në vitin 1972 dhe bashkon në gjirin e vet rreth 40 gjykata dhe institucione kushtetuese ekuivalente. Qëllimi i krijimit të saj ka qenë promovimi dhe shkëmbimi i informacionit mes anëtarëve të saj rreth çështjeve që lidhen me metodat dhe praktikat e kontrollit kushtetues, si dhe ndarja e përvojave dhe opinioneve për problemet institucionale, strukturore dhe praktike në fushën e së drejtës kushtetuese dhe atë publike.
Në kuadër të punimeve të Kongresit të XIX të Konferencës së Gjykatave Kushtetuese Evropiane është mbledhur një prej organeve të Konferencës – Rrethi i Kryetarëve – i cili ka marrë në shqyrtim edhe kërkesën e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për t’u bërë anëtare me të drejta të plota të kësaj Konference. Duke qenë se nuk u arrit të merrej numri i nevojshëm i votave për miratimin e kësaj kërkese, Rrethi i Kryetarëve ka vendosur ngritjen e një komiteti, pjesë e të cilit është edhe Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë, i cili do të përgatisë materialet e nevojshme për rishqyrtimin e kësaj kërkese në kuadër të takimit të ardhshëm të Rrethit të Kryetarëve. Po ashtu, Rrethi i Kryetarëve ka miratuar me shumicë të cilësuar votash kandidaturën e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë për të qenë gjykata kryesuese e kësaj konference për tri vitet e ardhshme dhe gjykata organizatore e Kongresit të XX të saj në Shqipëri./ata