Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish për tensionet në Veri të Kosovës.

 

Përmes një statusi në “Twitter”, Rama i bën thirrje Serbisë që të lirojë tre policët kosovarë, në të kundërt ai thotë se kjo do të jetë “java e rikthimit të akullit” mes dy vendeve.

 

Po ashtu një thirrje Rama e pati dhe për kryeministrin e Kosovës Albin Kurti.  Ai i thotë Kurtit që të dalë nga “guacka e vetizolimit dhe mos e humbë Veriun duke parë kudo armiq e tradhëtarë”.

 

“Sa më shumë mbahen në Serbi këta tre burra që edhe sikur ta kenë shkelur vijën e kufirit s’kanë kryer asnjë krim, aq më pak do jetë e mundur që marrëdhëniet tona bilaterale të mos bëjnë shumë hapa mbrapa! Kjo do jetë java e rikthimit të akullit mes nesh nëse ata nuk lirohen!

 

Nga ana tjetër nëse de-eskalimi nuk ndodh e humbura e madhe do të jetë Kosova – sepse Serbia mbase nuk jeton dot pa u ri-izoluar! Druaj shumë se sa më shumë Albini këmbëngul në të tijën kundër aleatëve, aq më shumë situata mund të agravohet, duke rikthyer KFORin në krye të punës!

 

E atëherë lamtumirë për kushedi sa kohë edhe kontrollit formal të shtetit mbi krejt territorin dhe ta gëzojmë një Republikë të KFORit në Veriun e Kosovës! Albin dil nga guacka e vetizolimit dhe mos e humb Veriun duke parë kudo armiq e tradhëtarë! Koha është tani dhe po fluturon! ”-shkruan Rama