Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka akuzuar Kushtetuesen se është e anuar nga ana e socialistëve pasi sipas tij i ka favorizuar me vendimin e fundit për Portin e Durrësit. Kushtetuesja rrëzoi padinë e 37 deputetët e opozitës, të cilët kërkonin shfuqizimin e marrëveshjes me Emiratet e Bashkuara Arabe, që është nënshkruar me Qeverinë shqiptare për ndërtimin e marinës turistike, pasi e kanë konsideruar si një aferë korruptive.

 

“Skandalet e përditshme të "Rilindjes" nuk mund të errësojnë aferat mafioze miliarda euro siç është Porti i Durrësit.

 

 

Gjykata Kushtetuese me vendimin e saj u pozicionua hapur në krah të grabitjes më të rëndë korruptive prej 2 miliardë euro të "Rilindjes" me pasoja katastrofike për ekonominë e vendit.

 

Prona më e rëndësishme në pikëpamjen strategjike dhe ekonomike e Shqipërisë do t’i jepet kompanive guackë me pronarë të fshehur. Pra, me pronarë të panjohur, me fonde të panjohura dhe që nuk u dihet origjina e tyre.

 

Nuk është një projekt strategjik! Ky është thjesht një projekt ndërtimi pallatesh dhe apartamentesh ku apartamentet shiten në "ajër".

 

Do të falen qindra milionë euro taksa! Do të falen 820 mijë metra katrorë me një vlerë dhe kjo qindra miliona euro!

 

Përjashtimi nga taksat është një shkelje flagrante e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, pasi trajton në mënyrë të diferencuar dhe diskriminuese bizneset e së njëjtës kategori.

 

Parlamenti Europian ka shprehur  shqetësimin duke deklaruar se: “është i skandalizuar me kontratën e Portit Durrës, me një kompani nga Emiratet e Bashkuara edhe pse kjo kontratë shkel Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit me BE dhe megjithë paralajmërimet  e mëparshme të Parlamentit e Komisionit Europian.”

 

Asnjë vendim gjykate, nuk e pastron dot këtë aferë mafioze, e cila është dhe do të mbetet një llogari e hapur me popullin shqiptar!”- shkruan Meta.