Hetimet për fundosjen e peshkarexhës me qindra emigrantë në brigjet greke vazhdojnë, ndërsa institucionet tregojnë itinerarin që përshkroi mjeti lundrues.

 

 

Ministria e Marinës Detare dhe Politikës Ishullore deklaron se anija e peshkimit që u mbyt në ujërat ndërkombëtare në zonën detare prej 47 miljesh detare në jugperëndim të Pylos, lundronte që nga momenti i pikasjes së saj gjatë orëve të mëngjesit, mesditës dhe pasdites së 13 qershorit.

 

Në deklaratë thuhet se gjatë ditës kanë qenë dy anije cisternë që i janë afruar peshkarexhës për të ndihmuar personat në bord dhe për t’u dhënë ushqime. Por, më tej, tregohet se disa herë rresht, anija e peshkimit refuzoi ushqimin dhe kur më në fund pranoi ndihmën, pasagjerët nisën të hidhnin ushqimet në det.

 

 

“I gjithë procesi i furnizimit me artikuj ushqimor për pasagjerët e anijes së peshkimit nga dy anijet cisterna zgjati gjithsej më shumë se katër orë e tridhjetë minuta (4:30)”.

 

Anija e peshkimit është ndalur sërish për disa minuta teksa i është afruar Anija e Patrullës së Rojes Bregdetare Greke dhe më pas ka vazhduar rrugëtimin e saj.

 

Ndërsa nga momenti i përfundimit të procesit të furnizimit me artikuj ushqimor e deri në momentin e ndalimit të saj për shkak të një defekti mekanik, anija e peshkimit ka përshkuar një distancë prej rreth 6 milje detare, thotë Ministria e Marinës Detare.

 

Nga momenti kur është pikasur nga policia kufitare deri në momentin e fundosjes, peshkarexha ka përshkuar rreth 30 milje detare.

 

Për ngjarjen vazhdojnë hetimet, por edhe kërkimet në det për trupat e zhdukur.

 

Sipas autoriteteve pakistaneze, mbi 300 shtetas pakistanezë rezulton të kenë humbur jetën në këtë tragjedi.

 

Fatkeqësia ndodhi pasi peshkarexha që besohet se mbante rreth 750 njerëz, duke përfshirë rreth 100 fëmijë, u përmbys kur një anije e rojës bregdetare greke filloi ta tërhiqte atë në vend të sigurt.

 

Peshkarexha po udhëtonte nga Libia në Itali dhe përfundoi në Pylos në Greqi. Greqia ka arrestuar 12 trafikantë egjiptianë të dyshuar duke shtuar se mund të arrestojë më shumë në orët dhe ditët në vijim.