Zgjedhja e kryetarit të ri të Partisë Demokratike ka përçarë edhe më shumë PD-në e vulës! Në një kohë që kryesia ka vendosur të thërrasë sot mbledhjen e Këshillit Kombëtar, 17 deputetë të PD-së kanë paralajmëruar se nuk do të marrin pjesë, për verifikimin e listës së anëtarëve të këshillit dhe të listës së zgjedhësve të cilët do të votojnë për kreun e ri të demokratëve.

 

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi tha se dje (19 qershor) se mbledhja që pritet të mbahet sot nga Këshilli Kombëtar i PD-së është ilegjitime dhe e papranueshme për shkak se anëtarët e kryesisë që e kanë njoftuar, kanë vepruar në kundërshtim me statutin duke shkelur kompetencat e tij si Sekretar i Përgjithshëm i partisë.

Sipas Bardhit, nuk ka përse të veprohet me nxitim për të zgjedhur kryetarin e ri të partisë. Ai tha se veprimet e kryera së fundmi, tregojnë se po veprohet për interesin personal të disa individëve, duke nënkuptuar edhe Lulzim Bashën i cili së fundmi është rikthyer në takime me të rinjtë demokratë duke lënë të kuptohet se planifikon të kandidojë për kreun e partisë.

 

PD sakaq ka përcaktuar 12 kriteret që duhet të plotësojnë kandidatët për zgjedhjet e 29 korrikut, të lidhura me angazhimin politik në parti, integritetin moral dhe aftësitë organizative.