Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta u shpreh sot se edhe pse Tirana ka një popullsi 6 herë më të madhe, ka thuajse të njëjtin numër qendrash shëndetësore dhe poliklinikash si para viteve ’90, kur kryeqyteti nuk kishte më shumë se 165 mijë banorë.

 

Në një takim mbi shëndetësinë, Meta u shpreh se “shëndetësia është një nga arsyet më të rëndësishme, që shkakton shpopullimin dhe largimin nga vendi, pasi mungesat në shërbimin shëndetësor qoftë në cilësi ashtu edhe në akses, kanë qenë mjaft të mëdha”.

 

“Sot është koha më shumë se kurrë më parë, për të marrë në duar dhe për të transformuar shëndetësinë e në radhë të parë atë që është zemra e sistemit, mjekët dhe infermierët, me pagesa më të mira, dhe së dyti, duke financuar në mënyrë dinjitoze sistemin shëndetësor, që ai të ketë infrastrukturën dhe të gjithë teknologjinë e nevojshme për të trajtuar në mënyrë profesionale shëndetin e popullit shqiptar”, shtoi ai.

 

Meta tha se “ndërkohë që jepen miliona metra katrorë për të ndërtuar kulla pafund dhe nxirren njerëzit me dhunë nga shtëpitë, nuk ndërtohen qendra shëndetësore të reja megjithëse ka njësi administrative të Tiranës që kanë 10-fishuar popullsinë e tyre”.

 

“Kjo situatë tepër e rëndë i lodh qytetarët, i ezauron mjekët nga mbingarkesa, dhe i bën shqiptarët t’i drejtohen shërbimit privat me kosto shumë të lartë ose i detyron të largohen nga vendi”, tha ai.

 

Ndaj, sipas tij, “shëndetësia kërkon veprime, masa, ndërhyrje urgjente dhe të mirëmenduara”.

 

“Marrja e shërbimit sa më afër banesës, është elementi thelbësor i sistemit shëndetësor. Ne angazhohemi për rritje 50% e menjëhershme e pagës së mjekëve, specialistëve dhe infermierëve me synimin afatgjatë të dyfishimit te pagave në shëndetësi. Eliminimi i plotë i kontrabandës dhe furnizimi me barna 100% të sigurta të certifikuara nga institucionet europiane të barnave, është një sfidë pa kthim që ne do e fitojmë patjetër. Po ashtu, rritja e buxhetit të shëndetësisë në të paktën 5% të GDP, që do të arrinte nivelin mesatar të vëndeve të Ballkanit, është detyrim përpara qytetarëve tanë”, shtoi Meta.