Bashkimi Evropian u bëri thirrje udhëheqësve të Serbisë dhe Kosovës që të marrin pjesë në bisedimet e krizës pa kushte fillestare, pasi blloku kërkon të ulë tensionet mes dy vendeve.

 

Shefi i Punëve të Jashtme të BE-së, Josep Borrell, deri më tani nuk ka marrë asnjë përgjigje ndaj ftesës drejtuar presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti për t’u takuar këtë javë, në Bruksel.

 

Roli ndërmjetësues i Brukselit vjen pasi tensionet janë ndezur sërish mes dy vendeve pas arrestimit të tre policëve të Kosovës nga Serbia.

 

Vuçiç tha të dielën se bisedimet me Kurtin ishin të kota, derisa të plotësoheshin kërkesat serbe, por ai nuk e përjashtoi pjesëmarrjen.

 

Kurti tha se po pret që përfaqësuesit kosovarë të kenë akses tek policët e arrestuar përpara se të bien dakord.

 

“Data e takimit nuk është caktuar ende, pasi palët nuk e kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre deri më tani”, tha zëdhënësi i Çështjeve të Jashtme të BE-së, Peter Stano.

 

“Ne presim që ata të tregojnë një qëndrim të arsyeshëm dhe të vijnë në Bruksel dhe të bëjnë përpjekjet e nevojshme për të shmangur përshkallëzimin”, tha ai.

 

Stano tha se udhëheqësit pritej të vinin në takim pa kushte fillestare duke theksuar se shtetet e BE-se mund të diskutonin masat kundër të dy palëve nëse ata nuk bashkëpunojnë.

 

Arrestimi i oficerëve të policisë është shpërthimi i fundit pas disa javësh tensioni midis dy palëve për zgjedhjet e diskutueshme në veri të Kosovës me shumicë serbe.

 

Trazirat nga serbët etnikë në veri të Kosovës çuan në plagosjen e 30 paqeruajtësve të NATO-s në fund të majit.

 

BE-ja e paralajmëroi Kosovën se do të përballej me pasoja politike, si pezullimin e vizitave të nivelit të lartë dhe bashkëpunimi financiar nëse nuk e ndryshonte kursin e zgjedhjeve.

 

Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008, por Beogradi ka refuzuar ta njohë atë.

 

Serbët në Kosovë mbeten kryesisht besnikë ndaj Beogradit, veçanërisht në veri, ku ata përbëjnë shumicën dhe refuzojnë çdo lëvizje të Prishtinës për të konsoliduar kontrollin e saj mbi rajonin./ /a.i/