Qendra Vullnetare e Emergjencave Civile do të nisë një ekip prej 10 mjekësh në zonat e prekura nga tërmeti shkatërrues në Turqi.

 

Përfaqësuesi i kësaj qendre, Nebi Muçaj, në një deklaratë për mediat u shpreh se, në përbërje të ekipit janë mjekë të specializuar për kërkimet poshtë rrënojave.

 

“Kërkesat janë të shumta për mjekë, infermierë e zjarrfikës. Ne kemi menduar grup prej dhjetë vetash me mjekë të specializuar për kërkimin nën rrënoja. Ne kemi të gjitha kapacitetet si për ambulanca edhe për zjarrfikëse dhe pajisjet e zjarrfikësve për kërkimin nën rrënoja. Kemi edhe partnerët tanë që na bashkohen brenda pak orësh nga Italia”, tha ai.

 

I pyetur mbi zonën ku do të angazhohen, Muçaj tha se, “në të dyja vendet, nuk kemi paragjykim”.

 

“Me rëndësi që të jemi aty dhe të ndihmojmë. Ne jemi një pikë e vogël, por themi se do bëjmë një punë të madhe. Fatkeqësitë nuk kanë kufi, s’kanë ndarje, ne jemi të gjithë bashkë në mbështetje të bashkisë së Tiranës. Ne përgatitemi çdo ditë për të qenë pjesë e fatkeqësive”, tha ai.

 

Muçaj shtoi se, “vullnetarët janë të trajnuar nga Komiteti Evropian dhe kanë pasur trajnime me forcat turke në disa vende të Ballkanit”./ATSH