Lungomarja e re e Durrësit është një investim me ndikim të lartë ekonomik, që do t’i japë vlerë të shtuar turizmit në qytetin bregdetar.

 

Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga kryetarja e bashkisë Durrës, Emiriana Sako inspektoi sot ecurinë e punimeve në Lungomaren e Plazhit të Durrësit, ku aktualisht po punohet për fazën e parë prej 2 km, e cila pritet të përfundojë në muajin qershor.

 

Rama theksoi se, “paralelisht po finalizohet edhe projekti i zgjerimit të konsiderueshëm nga deti të sipërfaqes ranore, që do të nisë nga zbatimi në fund të sezonit turistik”.

 

“Në Durrës me Anin, kryetaren e palodhur të bashkisë dhe skuadrën e Fondit Shqiptar të Zhvillimit, për të ndjekur nga afër ecurinë e projektit të madh të Lungomares së Plazhit të Durrësit, ku po punohet për fazën e parë prej 2 km, e cila do të duhet të përfundojë në qershor, ndërkohë qe paralelisht po finalizohet edhe projektit i zgjerimit të konsiderueshëm nga deti të sipërfaqes ranore, që do të nisë nga zbatimi në fund të sezonit turistik, së bashku me segmentin tjetër të Lungomares prej 1km, ku plazhi do të lidhet me Portin e Ri Turistik”, u shpreh kryeministri Rama.

 

Lungomarja e re do të ketë 3 kilometra vijë bregdetare, me gjelbërim, parqe dhe hapësira sportive. Në gjithë vijën bregdetare janë rreth 58 godina hotelerie me 3100 shtretër.

 

Projekti merr një rëndësi të madhe duke pasur parasysh se gjatë sezonit turistik, popullsia në këtë zonë rritet me 600 mijë banorë./ATSH