Është nënshkruar memorandum mes Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) dhe Komunës së Podujevës në kuadër të projektit "Mbështetja e Fermerëve të Podujevës me Mekanizëm Bujqësor".

 

Memorandumi i nënshkruar në mes të Koordinatorit të TIKA-s Cihan Dinçer dhe kryetarit të Komunës së Podujevës Shpejtim Bulliqi, i cili përfshin blerjen e 50 frezave për 50 fermerë, u mirëprit nga Komuna e Podujevës.

 

Kryetari Bulliqi tha se shpreson që kjo formë e bashkëpunimit të vazhdojë edhe në të ardhmen.

 

"Ky është një projekt i cili financohet me rreth 55 për qind nga TIKA, 30 për qind ka pjesëmarrje Komuna e Podujevës dhe pjesa tjetër prej 15 për qind bashkëfinancohet nga bizneset tona në këtë projekt. Jemi shumë të lumtur që në vazhdën e punëve të mira që po bëjmë, në bashkëpunim me shtetin mik turk, po e realizojmë edhe këtë projekt në interes të qytetarëve tanë", theksoi Bulliqi.

 

Koordinatori i TIKA-s në Prishtinë Cihan Dinçer tha se TIKA edhe më herët ka realizuar projekte në Komunën e Podujevës.

 

Dinçer tha se ky projekt ka pasur plan të realizohet vitin e kaluar, mirëpo nuk ishin rrethanat e përshtatshme. Ai tha se durimi i kryetarit Bulliqi dhe stafit të tij në realizimin e këtij projekti bëri që ai të realizohet.

 

"Nga dita e parë e zgjedhjes kryetar i Komunës, i ka kushtuar rëndësi të madhe marrëdhënieve me Republikën e Türkiyes. Ne si TIKA edhe më herët kemi realizuar projekte në Komunën e Podujevës, njëri në sektorin e bletarisë dhe njëri në sektorin e mjedrave e manaferrave si dhe në çerdhen e qytetit", theksoi Dinçer.

 

Dinçer tha se marrëdhëniet midis Türkiyes dhe Kosovës do të rriten vazhdimisht edhe në të ardhmen./AA