Shumica e deputetëve të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës mbështeti anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë me seli në Strasburg.
Kreshnik Ahmeti, pjesë e delegacionit të Kosovës, tha se Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës (APKiE) miratoi opinionin pozitiv për anëtarësimin e Kosovës si shtet anëtar.
“Ky opinion rekomandon anëtarësimin e plotë të Kosovës, pa asnjë parakusht shtesë, si shtet evropian sipas nenit 4 të Statutit dhe duke hequr fusnotën nga denominimi. Mirëpresim amandamentet e propozuara dhe miratuara të cilat kërkojnë që të avancohen të drejtat civile të qytetarëve të Kosovës dhe jemi të lumtur që opinioni u mbrojt nga amandamentet të cilat do ta pengonin procesin e anëtarësimit. Rezultati i sotëm është sukses i angazhimit intensiv të të gjitha institucioneve të Kosovës dhe koordinimit të ngushtë me partnerët ndërkombëtar”, bën të ditur Ahmeti.
“Gjithashtu, mbështetja e fuqishme demokratike në APKiE duhet të shihet si sinjal pozitiv nga Komiteti i Ministrave që ta trajtojë aplikimin e Kosovës në muajin maj të këtij viti. Juristë eminentë të KiE konfirmuan që Kosova plotëson standardet, raportueset politike konfirmuan që Kosova plotësoi parakushtet, APKiE që nga sot rekomandon anëtarësimin. Prandaj, nuk ka asnjë arsye për hezitim, shtyrje e aq më pak kundërshtim të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës”, ka theksuar Ahmeti në Facebook./Kosova Press/