Në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë ka nisur ndërtimi i spitalit të ri ditor, me kapacitet prej 60 shtretër.

 

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu inspektoi sot fillimin e punimeve të spitalit të ri, pjesë e fazës së dytë të zbatimit të masterplanit të modernizimit të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.

 

“Tashmë kemi filluar fazën e dytë të projektit të Spitalit Qendror, ku bëhet fjalë për rehabilitimin dhe riorganizimin e zonës së ish–urgjencës, që tashmë do t’i dedikohet kjo hapësirë e re, me ndërtimin e spitalit ditor. Do të përfshijë shërbimin e hemodializës, me një njësi të dedikuar dhe përpos hemodializës, shërbimit të toksikologjisë dhe spitalit ditor prej 60 shtretërish, do t’i dedikohet të gjithë sistemit të menaxhimit për sa i përket sëmundjeve të brendshme dhe në ndihmë dhe mbështetje të spitalit qendror të QSUT”, theksoi Manastirliu.

 

Duke folur për investimet për modernizimin e QSUT, Manastirliu tha se “QSUT-ja, ashtu sikurse e kemi premtuar është vërtet shëmbëlltyra e vizionit tonë për sistemin spitalor që ne duam. Për pak kohë ne do të nisim një tjetër projekt të rëndësishëm, rehabilitimin e Spitalit të Kardiokirurgjisë. Gjatë këtij viti ne kemi sërish një projekt shumë të rëndësishëm për QSUT-në, rehabilitimin e Spitalit Psikiatrik, një prej spitaleve, i cili është pjesë e programit zhvillimor të transformimit të QSUT-së, i cili fillon një fazë të re të rehabilitimit dhe të përmirësimit të kushteve për pacientët që marrin shërbim aty”.

 

Me këtë investim të ri, ish-Urgjenca e QSUT tashmë do t’i dedikohet shërbimit ditorë përshtatjes së ambienteve të ish Urgjencës Mjekësore ,ku do të akomodohet shërbimi i hematologjisë, Hemodializës, Toksiokologjisë, ambiente për mikrokirurgji, lazer, dermatoskopi, terapi dhe zgjerim në numrin e shtretërve për shërbimin e dermatologjisë, alergologji, reumatologji, alergologji, reumatologji dhe mjekësi interne.

 

Pas ndërtimit të Spitalit Qendror, Spitalit Infektiv, Spitalit Pediatrik në QSUT, vijojnë investimet për zbatimin e masterplanit me fazën e dytë të Spitalit Qendror, që është ndërtimi i Spitalit Ditor e më pas me rehabilitimin e plotë të Spitalit të Kardiokirurgjisë dhe Spitalit Psikiatrik.

 

Investimet për transformimin e shërbimit shëndetësor vijojnë në të gjithë vendin, nga Elbasani, në Krujë, Dibër, Lezhë, ku hapen kantiere të reja me rehabilitimin e spitaleve e poliklinikave.