Deri tani janë dhënë 5 kartat e para të Autonomisë Menaxheriale për 5 spitale, për QSUNT, për Spitalin Rajonal të Vlorës, për Spitalin Rajonal të Durrësit dhe atë të Shkodrës, nën gjurmët e spitalit Memorial, pasi Spitali Memorial ishte i pari që e filloi këtë autonomi menaxheriale.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu në një intervistë televizive tha se 5 spitalet do të mbikëqyren për dy vite dhe pas dy vitesh do të fillojë aplikimi i autonomisë financiare.

“Autonomia spitalore është një nga ato sfidat, fillon vërtetë sot, por nuk mbaron nesër. Do dojë kohën e vet. Megjithatë unë do doja që të lija një gjurmë në këtë rrugëtim timin”, u shpreh ministrja duke e cilësuar edhe një prej sfidave të saj në krye të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Autonomi spitalore, theksoi ajo, nëpërmjet një Bordi Menaxherial do të jetë në gjendje që të ofrojë dhe të financojë shërbimet e veta vetë, në mënyrë të pavarur bazuar në disa indikatorë performance duke mos e marrë vendimmarrjen për çdo veprim administrativ nga ministria.

“Edhe në menaxhimin e kohës edhe në marrjen e vendimeve, por edhe në ofrimin e shërbimeve duke i dhënë mundësi ndërkohë që të ketë kompeticion nga spitali në spital për të thithur mjekët më të mirë, për të ofruar më shumë shërbime, më shumë cilësi dhe për të patur një vetëmenaxhim të sistemit të brendshëm të shërbimeve që ofron”, tha Koçiu.

Ministrja risolli në vëmendje se deri tani janë dhënë 5 kartat e para të Autonomisë Menaxheriale për 5 spitale, për QSUNT, për Spitalin Rajonal të Vlorës, për Spitalin Rajonal të Durrësit dhe të Shkodrës, nën gjurmët e spitalit Memorial, pasi Spitali Memorial ishte i pari që e filloi autonominë menaxheriale.

Sot që flasim, vijoi ministrja, Spitali Memorial ka filluar të ushtrojë edhe praktikën e dyfishtë.

“Praktika e dyfishtë është një nismë interesante që mbështet mjekët për të punuar në strukturat spitalore publike. Qytetari të ketë mundësi të zgjedhë mjekun që dëshiron nga ajo strukturë spitalore dhe të bëjë një konsultë me të në të njëjtat mjedise kundrejt një tarife ekstra. Duam që nën gjurmët e kësaj eksperience ta shtrijmë edhe në 4 spitalet e tjera që kanë marrë kartën menaxheriale”, u shpreh ajo.

Koçiu sqaroi se këto struktura spitalore “do të mbikëqyren për dy vite dhe pas dy vitesh do të fillojë aplikimi i autonomisë financiare. Do të paguhen jo më mbi bazë buxhetesh historike, por do të paguhen mbi bazë indikatorësh performance, në bazë të shërbimeve që kryhen, cilësisë së atyre shërbimeve”.

Gjatë intervistës, ministrja u ndal dhe te infrastruktura në spitalet publike.
“Infrastruktura e spitaleve publike, do të thoja me modesti se sot është më e mirë se sa ajo e strukturave private. Sigurisht që në drejtim të ofrimit të shërbimit, të mënyrës së komunikimit dhe trajtimit të pacientëve kemi sfida akoma dhe do të duhet që të punohet në këtë drejtim akoma më shumë”, deklaroi Koçiu.

Ministrja shpjegoi se Autonomia ka ndikim pozitiv edhe sa i takon shkurtimit të kohës dhe procedurave, si dhe shmangies së burokracive.

“Këto spitale bëhen më autonome dhe më të pavarura në mënyrën e tyre të menaxhimit. Më të pavarura për procedurat për të operuar, për të dhënë zgjidhje më të shpejta dhe për të mos bërë burokraci, ndërkohë që po flasim për një shërbim jetik që nuk pret sa të kryhen procedurat administrative”, theksoi ajo./ata