Personeli shëndetësor këtë muaj ka marrë pagat e reja, me rritjen historike për mjekët specialistë.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ndau sot në rrjetet sociale një video me përshtypjet e mjekëve specialistë të Spitalit Qendror për rritjen e pagës.
Mjekët e Spitalit Qendror në QSUT janë shprehur të kënaqur për pagat e reja me +50 mijë lekë, duke e konsideruar një premtim të mbajtur dhe vlerësim i punës së stafeve mjekësore.
“E lumtur që punoj në këto kushte, por nga ana tjetër e lumtur që punojmë edhe me këtë rritje pagash”, Dr. Anduela Mino, mjeke e Shërbimit të Urgjencës.
“Rritja e pagës krijon një vlerësim më dinjitoz në punën tonë të përditshme dhe na bën të ndjehemi me pranë vendeve evropiane me pagesat e reja”, theksoi Dr. Endri Hasimi, mjek kardiolog.
Prof. Adriana Babameto, shefe e Shërbimit të Gastrohepatologjisë u shpreh se “është një dëshmi e një premtimi të mbajtur, të konkretizuar, i cili është një nga elementët e rëndësishëm të transformimeve që po ndodhin në Shqipëri dhe që tregon qartë vlerësimin për këtë personel shëndetësor dhe specialistët”.
“Është hera e parë që punojmë në kushte optimale dhe së fundmi rritja e pagës ishte një motivim mjaft i mirë për të vazhduar për të punuar këtu në vendin tonë”-tja Prof. ass. Albana Gjyzari, mjeke nefrologe.
Dr. Dorina Ylli, mjeke endokrinologe tha se “është kënaqësi të shohësh se qeveria vlerëson punën e mjekëve specialistë, që është një punë e përditshme, mjaft intensive”.
Nga rritja e pagave sipas planit në sektorin e shëndetësisë përfitojnë mbi 22 mijë mjekë, infermierë, stafe administrative në strukturat shëndetësore./ATSH