Ish-kryeministri Sali Berisha në konferencën për media që ka mbajtur ditën e sotme është ndalur tek minimum jetik, ku sipas tij është një çështje e rëndësishme dhe se duhet mbrojtur me forcë.

 

Ai theksoi se ndihma ekonomike është përgjysmuar në vend që të rritej, teksa shton se sot bashkitë paguajnë më shumë për një qen.

 

Sipas tij paguajnë 60 mijë lekë për një qen dhe 40 mijë lekë për një njeri.

 

“Rikthehemi te problemi ynë. Problem kryesor ne kemi minimumin jetik. Unë e kuptoj që këta nuk e pranojnë se janë me kompleksin e mohimit dhe pashpirtësisë. Të refuzosh minimumin jetik, tregon se së paku nuk ta ndjen për ta, por ata janë shumë. Ju e keni konstatuar, të gjitha statistikat tregojnë se varfëria është rritur dhe është përgjysmuar ndihma ekonomike.

 

Kanë qenë 120 mijë familje në vitin 2013 dhe studimi tregonte se duhej të ishin edhe 180 mijë, pra duheshin të shtoheshin 60 mijë të tjera. Këta i kanë përgjysmuar dhe arrin puna që sot bashkitë paguajnë më shumë për një qen, paguajnë 60 mijë lekë për një qen dhe paguajnë 40 mijë lekë për një njeri.Ne duhet ta mbrojmë me forcë çështjen e minimumit jetik. Një çështje që jep impakt të menjëhershëm. Nuk duhet të ketë shqiptar që të mos ketë 200 euro në muaj.

 

Kjo është një goditje e fortë e mjerimit, por edhe e varfërisë. Përfitojnë 1.3 milionë deri në 1.5 milionë shqiptarë. Ne do e mbrojmë këtë, e kemi premtuar gjatë fushatës elektorale. Por minimumi jetik është i sanksionuar me ligj në çdo vend. Kjo është arsyeja pse varfëria ekstreme nuk ekziston më, është e zhdukur. Sepse japin minimumin jetik, që njerëzit të mos bien në humnerë”, tha Berisha.

 

Gjatë fjalës së tij Berisha u ndal edhe tek videoja intime e Safet Gjicit, e cila sipas tij do të jetë vetëm fillimi.

 

“Rasti i Kukësit, vetëm skandale do kemi, duhet të bëjmë gjithçka për të aktivizuar më shumë nervin e protestës shqiptare. Duhet të qartësojmë zgjedhësit tanë”, shtoi Berisha.