Ish-kryeministri, Sali Berisha në një mbledhje të grupit Parlamentar, e cilësoi si reprezalje të shtetit shqiptar, aksionin e ditës së djeshme të policisë në kampin e muxhahedinëve.

 

Sipas tij, 20 qershori do të shënohet në historinë e Shqipërisë, Europës dhe botës si një ditë turpi.

 

“20 qershori do të shënohet në historinë e Shqipërisë, Europës dhe botës si një ditë turpi. Si një ditë në të cilën, narkoshteti shqiptar pikërisht zgjodhi ditën e refugjatëve, për një reprezalje, përmasat e të cilës, sipas medieve, janë krejt të tjera nga ato që thotë ministri Çuçi dhe zëdhënësi i tij, Rrumbullaku. Mediat, përveç viktimës, informojnë për gjymtyrë të thyera, të cilat nuk mund të ndodhin kurrë me spraj, për koka të çara, për plagosje të rënda. Pra, një brutalitet dhe një dhunë e egër, e dënueshme, e papranueshme”, tha Berisha në mbledhjen e grupit parlamentar.

 

Më tej, Berisha tregoi edhe marrëveshjen që bëri me amerikanët për pranimin e muxhahedinëve në vendin tonë, ndërsa u shpreh se kryeministri Edi Rama firmosi lejen për ndërtimin e kampit të tyre.

 

“Marrëveshja për sjelljen në Shqipëri të muxhahedinëve të popullit, ka nisur zbatimin e saj gjatë qeverisë së mëparshme. Në atë kohë, muxhahedinët e popullit ndodheshin në një kamp në Irak dhe ishin objekt sulmesh, granatimesh të egra dhe të pamëshirshme nga qeveritarët irakianë. Kërkesës së Departamentit të Shtetit, gjatë një vizite që unë bëra në Uashington, për të marrë dhe strehuar në Shqipëri muxhahedinët, unë i dhashë këtë përgjigje: së pari, po, do marrim një kontingjent pilot për të parë si po ecën sistemi dhe qëndrimi i tyre. Së dyti, kërkesa e dytë për t’i marrë ishte që të hiqeshin nga lista e grupit terrorist, sepse ata ishin të listuar nga DASH si grup terrorist. Kërkesa e tretë ishte që ata në Shqipëri do vinin nën ombrellën e OKB-së. Tani të ndalemi pak te kjo kërkesë, sepse ata duhet të gëzonin pavarësisht nga mikpritja shqiptare, të gjithë të drejtat e njerëzve refugjatë, të përcaktuara nga konventat ndërkombëtare dhe mbrojtjen e tyre. Autoritetet e SHBA i kanë pranuar këto kërkesa. Tani, gjatë periudhës së negociuam dhe i sollëm, nuk parashikohej ngritja e një kampi. Alternativa jonë ishte marrja me qira e banesave në zona të ndryshme të Tiranës dhe natyrisht asistenca për jetën e tyre normale si mysafirë që do ishin. OKB-në nuk e thirrëm për të ndihmuar me ushqime, por për kuadrin e të drejtave të tyre. Pa dyshim që kërkesë tjetër ishte që nga territori i Shqipërisë nuk mund të zhvillohej veprimtari në dëm të një shteti tjetër. Ata e kishin pasur këtë etiketën si grup terrorist dhe ne nuk mund të pranonim akte, veprime të armatosura, të nisura nga territori i Shqipërisë, të kryheshin nga grupi i muxhahedinëve të popullit. Këto ishin kërkesat. Erdhi grupi i parë, nja 220 vetë. Më vonë, qeveria mori edhe 2700 të tjerë a 2800 të tjerë. Në mos gaboj, ata blenë tokën në Manëz, Edi Rama firmosi lejen e ndërtimeve dhe të kampit të tyre”, shtoi Berisha.