Irani ka reaguar mbi operacionin e zhvilluar në Shqipëri në kampin e Organizatës së Muxhahedinëve të Popullit të Iranit (MEK), të cilët janë kundër regjimit iranian.

 

Në një deklaratë në llogarinë e tij në Twitter, zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Iranit, Nasser Kenani, argumentoi se MEK "do të përbëjë gjithmonë një kërcënim për sigurinë e pritësve të saj për shkak të natyrës së saj terroriste".

 

"Prandaj qeveria irakiane i dëboi dhe qeveritë e tjera nuk i pranuan. Shpresojmë që qeveria shqiptare të kompensojë gabimin e saj në strehimin e kësaj organizate terroriste", tha Kenani.

 

Operacioni i policisë në kampin e anëtarëve të MEK-ut

 

Policia e Shqipërisë ka kryer më 20 qershor kontrolle në zyrat dhe ambientet e tjera në kampin anëtarëve të Organizatës së Muxhahedinëve të Popullit të Iranit (MEK), në Manëz të Qarkut të Durrësit, ndërkohë kontrollet janë shoqëruar me incidente dhe përplasje duke shkaktuar edhe reagime.

 

Përfaqësuesit e MEK-ut kanë pretenduar për një person të vrarë dhe dhjetëra të plagosur gjatë kontrolleve, sipas tyre si pasojë e përdorimit të gazit lotsjellës dhe sprejt piper nga policia, ndërkohë që anëtarët e MEK-ut kanë kundërshtuar kontrollet e policisë.

 

Sipas autoriteteve shqiptare, kontrollet janë pasojë e veprimeve që "bien haptazi ndesh me marrëveshjen dhe angazhimet e marra nga grupimi MEK kur u vendosën në Shqipëri vetëm për qëllime humanitare".

 

Organizata e Muxhahidëve të Popullit dhe ndikimi i saj në marrëdhëniet Iran-Shqipëri

 

Organizata e Muxhahidëve të Popullit, e cila kishte një ideologji "socialiste islamike" që doli kundër regjimit të Shahut në Iran në vitin 1965, u përfshi në konflikt me administratën e Teheranit në periudhën pas revolucionit të vitit 1979 dhe u shpall organizatë terroriste nga Irani në vitin 1981. Organizata, e cila kreu sulme ndaj objektivave civile dhe ushtarake në Iran në këtë proces, më vonë u njoh si organizatë terroriste nga SHBA-ja, Bashkimi Evropian (BE) dhe Kanadaja. BE-ja e hoqi organizatën nga lista terroriste në vitin 2009, ndërsa SHBA-ja dhe Kanadaja në vitin 2012.

 

Marrëdhëniet mes Teheranit dhe Tiranës u acaruan pasi organizata u organizua në Shqipëri. Shqipëria ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Teheranin në shtator 2022, duke fajësuar Iranin për sulme masive kibernetike ndaj infrastrukturës së internetit të Qeverisë së Shqipërisë./AA