Kombëtarja kuqezi ka triumfuar në ndeshjen e dytë radhazi në kualifikueset e Euro 2024 në transfertë ndaj Ishujve Faroe. Përballja u mbyll në shifrat 1-3, ndërsa tregoi karakter dhe vendosmëri. Gola, raste dhe shpirt fituesi, kjo ishte panorama e ofruar nga kuqezinjtë në Torshan, ndërsa kthehen në shtëpi me 3 pikë.

 

Aktualisht Shqipëria renditet në vendin e dytë në grupin E, ndërsa ka grumbulluar 6 pikë, në krye qëndron Çekia me 1 pikë më tepër. Disfata në Tiranë nuk e mërziti Moldavinë e cila i dha një ndihmë kuqezinjve në distancë duke fituar me përmbysje ndaj Polonisë 3-2 e duke i zbritur në vendin e katërt.

 

Shpresat për një kualifikim më tej janë shtuar, me Shqipërinë që duhet të mposhtë Moldavinë e Ishujt Faroe, të marrë pikë ndaj Polonisë në Tiranë e të luftojë ndaj Çekisë, që duket një plan i arritshëm.

 

Më parë as nuk mendohej, tani Shqipëria luan tika-taka, “aromë Brazili” në fushën e lojës. Sylvinho ka implementuar një lojë sulmuese, që premton shumë, por mbi të gjitha ka kthyer entuziazmin e dëshirën tek lojtarët, faktorë të cilët ndajnë fituesin nga humbësi.