Pastrimi nga inertet dhe mbetjet i rrugëve kryesore brenda dhe jashtë qytetit të Shkodrës është angazhimi i parë i nisur tashmë nga kreu i ri i Bashkisë Shkodër, Benet Beci.

 

Kryeministri Edi Rama ka publikuar në rrjetet sociale pamje nga pastrimi i qytetit verior nga punonjësit e Bashkisë Shkodër.

 

Rama shprehet se “Shkodra e pastër, prioriteti i parë i emergjencës, ka nisur të jetësohet nga Beneti për çlirimin e çdo rruge të qytetit nga regjimi i plehrave që mbulonin kazanët”.

 

Kreu i Bashkisë së Shkodrës, Bene Beci i cili u betua të hënën për marrjen e kësaj detyre ka nisur që me datë 10 qershor punën për pastrimin e mjedisit që nga Velipoja, hapi i parë i një plani të mirëmenduar pune që sikur ka deklaruar ai, do të vijojë gjatë gjithë sezonit dhe jo vetëm”.

 

Beci ka theksuar se pastërtia në të gjithë territorin e veçanërisht në zonat turistike, është domosdoshmëri jo vetëm për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve e të mjedisit, por parakusht për zhvillimin e turizmit.

 

Ndërsa një ditë më parë, Bashkia Shkodër njoftoi të gjithë individët dhe subjektet private të marrin masa për të liruar hapësirat publike të zëna padrejtësisht.

 

Sipas ligjit, koha në dispozicion për kryerjen në mënyrë vullnetare është deri me datë 26.06.2023.

 

“I referohemi këtu përkatësisht trotuareve, shesheve publike, mjediseve të gjelbra dhe parkimeve publike. Ato duhen çliruar nga çdo mjet që pengon përdorimin e hapësirave të përbashkëta, si karrige, goma, blloqe betoni, vazo lulesh apo sende të tjera. Gjithashtu i referohemi lirimit të rrugëve e trotuareve nga podet e karriget e vendosura aty nga subjekte që s’kanë lidhur kontratë me Bashkinë për përdorimin e këtyre hapësirave. Në përfundim të këtij afati pesëditor, Bashkia do të ndërhyjë për lirimin e tyre me strukturat përkatëse dhe forcën që i jep ligji, në zbatim të ligjit nr. 139/2015 “Për Vetëqeverisjes Vendore”, ligjit nr. 89/2022 “Për Policinë Bashkiake”, njofton Bashkia Shkodër.

 

Të gjithë qytetarët apo subjektet që duan të përfitojnë përdorimin e hapësirave sipas ligjit, Bashkia i fton të përdorin këtë hapësirë kohore për t’u paraqitur pranë Zyrës me një ndalesë për të ndjekur procedurat përkatëse.