Prishën qetësinë publike, duke vënë muzikë të lartë në lokalet që menaxhonin, procedohen penalisht 2 shtetas.
Sekuestrohen pajisjet që gjeneronin muzikën.
Njoftimi i plotë i policisë :
Tiranë/Vijojnë kontrollet intensive për parandalimin e ndotjes akustike.
Prishën qetësinë publike, duke vënë muzikë të lartë në lokalet që menaxhonin, procedohen penalisht 2 shtetas.
Sekuestrohen pajisjet që gjeneronin muzikën.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, në vijim të kontrolleve për zbatimin e ligjit, si dhe parandalimin e ndotjes akustike, kanë intensifikuar kontrollet, me qëllim zgjidhjen e shqetësimeve të banorëve, nga muzika e lartë në lokale.
Gjatë kontrolleve, në një lokal në Yzberisht dhe në një lokal në Unazë të Re, shërbimet e Policisë kanë konstatuar muzikë të lartë që përbënte shqetësim për banorët.
Në vijim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 6 referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë, për secilin nga menaxherët e lokaleve, shtetasit A. B., 32 vjeç, dhe K. K., 37 vjeç, të dy banues në Tiranë, për veprën penale "Prishja e qetësisë publike".
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.
Policia e Shtetit apelon për të gjithë administratorët dhe pronarët e lokaleve dhe hoteleve, që të zbatojnë me rigorozitet ligjin dhe rregullat në lidhje me ndotjen akustike, pasi në rast të konstatimit të ndotjes akustike, shërbimet e Policisë do të sekuestrojnë pajisjet që gjenerojnë muzikë dhe do të procedojnë sipas ligjit, shtetasit përgjegjës.