Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç,  kanë konfirmuar se do të marrin pjesë në takimin për menaxhimin e krizave, që është thirrur nga shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell.

 

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, më 22 qershor tha se të enjten do të takohet me Borrellin në Bruksel, por jo me Kurtin.

 

“Biseda me të Kurtin nuk ka kuptim. Ai na jep leksione për filozofinë, pak për Adem Demaçin, pak për Karl Marx”, tha Vuçiç.

 

Një ditë më parë, Kurti ka konfirmuar pjesëmarrjen në takimin e Brukselit.

 

Ai tha se në atë takim do të insistojë “lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të tre policëve të Kosovës që po mbahen peng nga Serbia, shtensionimin e situatës dhe normalizimin e raporteve”.

 

Ndërkaq, përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, tha se ka ftuar liderët e Kosovës dhe Serbisë në një takim urgjent në Bruksel, për gjetjen e një zgjidhjeje për krizën aktuale.

 

“Kam ftuar liderin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, dhe atë të Kosovës, Albin Kurti, në Bruksel për takime urgjente për të gjetur një mënyrë për të dalë nga kriza aktuale. Na duhet shtensionim i menjëhershëm i situatës dhe zgjedhje të reja në veri me pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës. Këto janë parësore për rajonin dhe BE-në”, shkroi ai në Twitter.