Kreu i Prokurorisë së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, Altin Dumani, është takuar në Romë me Krerët e Prokurorisë së Antimafias dhe Antiterrorit në Itali.

 

Sipas njoftimit të publikuar nga zyra e shtypit e SPAK, bëhet me dije se gjatë takimit u evidentua se bashkëpunimi mes në fushën e luftës kundër terrorizimit ka qenë efektiv dhe duhet rritur edhe më shumë.

 

“Me datë 20 Qershor 2023, me ftesë të Prokurorit Kombëtar Antimafia dhe Antiterrorizmit Itali, (DNAA) zotit Giovanni Melillo, Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme dhe Drejtuesi i Sektorit Bashkëpunimit Ndërkombëtar në Prokurorinë e Posaçme zhvilluan një takim pune në Romë. Në takimin koordinues merrnin pjesë dhe prokurorë të Prokurorisë Antimafia dhe Antiterrorizmit (DNAA)”, – njofton SPAK.

 

“Objekt diskutimi ishin rastet e bashkëpunimit ndërmjet SPAK dhe DNAA, rezultatet e arritura dhe problematikat e konstatuara. Konkluzioni ishte që bashkëpunimi ka qenë konkret, efektiv dhe shumë i suksesshëm. U ra dakort që për të ardhmen ky bashkëpunim ndërmjet dy institucioneve të rritet në një nivel më të lartë”,- përfundon njoftimi i SPAK.