Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale është njohur nga lajmet e publikuara në media dhe portale elektronike, por të postuara apo ripostuara edhe në rrjete sociale, me imazhet e një ngjarjeje të rëndë ku janë përfshirë të mitur, nxënës të një shkolle 9-vjeçare të Tiranës.

 

Zyra e Komisionerit u bën thirrje subjekteve mediatike/portaleve, ashtu si edhe qytetarëve që përdorin rrjetet sociale, të respektojnë kuadrin ligjor në fuqi në mbrojtje të dinjitetit njerëzor dhe sidomos, të të dhënave personale, aq më tepër kur bëhet fjalë për individë të mitur, duke fshirë imazhet që identifikojnë personat e përfshirë në këtë ngjarje.

 

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë reagoi dje lidhur me videon e publikuar në portale, në të cilën shfaqen disa të mitura që dhunojnë një bashkëmoshataren e tyre.

 

Në një njoftim për shtyp policia sqaron se shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, menjëherë pas publikimit të pamjeve filmike, organizuan punën për identifikimin e shtetaseve që shfaqen në video si dhe sqarimin e rrethanave të kësaj ngjarjeje.

 

Pas verifikimeve të kryera për identifikimin e tyre, në bashkëpunim edhe me drejtorinë e shkollës, u bë i mundur identifikimi i një të mituri që kishte filmuar konfliktin, si dhe identifikimi i 4 të miturave të përfshira në konflikt.

 

“Në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, në prezencë të prindërve dhe të punonjësve socialë, janë shoqëruar dhe po intervistohen 5 të mitur të moshave 13 dhe 14 vjeç (një djalë e 4 vajza). Nga verifikimet paraprake të kryera, ka rezultuar se ngjarja ka ndodhur me datë 15.02.2023, në rrugën “3 Dëshmorët” dhe jo në ambientet e shkollës “Kongresi i Manastirit””, thekson policia.

 

Sipas policisë, vijon puna për sqarimin e rrethanave të konfliktit nëpërmjet shtetaseve të mitura.