Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në qytetin e Elbasanit, ku një 46-vjeçar dyshohet se mund ta ketë marrë aksidentalisht rrjedha e lumit Shkumbin.

 

Lajmin në polici e ka dhënë vëllai i tij, i cili bën me dije se 46-vjeçari ka qenë duke punuar një sipërfaqe toke buzë lumit Shkumbin dhe nuk ishte kthyer më në banesë.

 

Menjëherë pas këtij njoftimi, polica ka nisur kërkimet përgjatë shtratit të lumit Shkumbin.

 

“Mëngjesin e djeshëm, shtetasi P. P. ka njoftuar sallën operative, se vëllai i tij, shtetasi B. P., 46 vjeç, gjatë mbrëmjes së datës 20.06.2023, kishte qenë duke punuar një sipërfaqe toke, buzë lumit Shkumbin, dhe nuk ishte kthyer më në banesë. Gjithashtu, familjarët e shtetasit B. P. kanë  deklaruar se dyshojnë se 46-vjeçarin mund ta ketë marrë aksidentalisht rrjedha e ujit, gjatë kohës që ka tentuar për të kaluar në kahun tjetër të lumit, për t’u kthyer në banesë.

 

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë së bashku me familjarët, kanë nisur kërkimet përgjatë shtratit të lumit Shkumbin.

 

Gjithashtu, krahas shërbimeve të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, janë angazhuar edhe  polumbarët e Repartit Special RENEA, të cilët vijojnë kërkimet në të gjithë rrjedhën e lumit, me qëllim gjetjen e trupit të 46-vjeçarit“, tha policia.