Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi foli sot në Kuvend për projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Malit të Zi, për hapjen e pikës së përbashkët të kalimit kufitar Shën Nikolla-Pulaj për qarkullimin rrugor ndërkombëtar dhe kryerjen e veprimtarive të përbashkëta të kontrollit kufitar”.
Çuçi u shpreh se, “konkretisht kjo marrëveshje përcakton hapjen e një pike të re kufitare të përbashkët atë të kalimit kufitar Shën Nikolla- Pulaj, e cila do të jetë një pikë kufitare për qarkullimin ndërkombëtar, qoftë të mjeteve, qoftë të njerëzve”.
“Hapja e kësaj pike të përbashkët të kalimit kufitar e do të japë një frymëmarrje të re dhe përfitime, jo vetëm për banorët e zonave përreth lumit Buna, por edhe një impuls alternativ për lëvizjen e lirë të njerëzve dhe zhvillimin e një ekosistemi turistik më koheziv në të dy anët e kufirit”, theksoi Çuçi.
Më konkretisht, shtoi ministri i Brendshëm, “e para do të lehtësohet lëvizja e banorëve të zonave të nën Shkodrës, pjesë përbërëse të bashkisë së Shkodrës dhe zonave të Ulqinit nga ana e Malit të Zi, Malësinë e Krajës”.
Së dyti, vijoi Çuçi, “do të shkurtohet në mënyrë të ndjeshme distanca dhe do të ulet fluksi i hyrje-daljeve në në pikën e përbashkët të kalimit kufitar në Muriqan, veçanërisht për mbarëvajtjen e punës gjatë sezonit turistik. Dhe sigurisht do të shkurtohet në mënyrë drastike distanca mes Velipojë dhe Ulqinit. Sot kjo distancë është 70 km dhe me investimin në infrastrukturë, me bërjen e urës së re, marrëveshje të cilën e kemi kaluar këtu në parlament, kjo distancë do të jetë vetëm 310 m”.
Së treti, vijoi Çuçi, “padiskutim që do të stimulohet dhe do të rritet shumë shkëmbimi i aktiveteve dhe paketave turistike si rezultat i shkurtimit të distancës”.
Çuçi nënvizoi se, “ky projekt si dhe pika e re ndërlidhëse do të impaktojnë dhe reputacionin ndërkombëtar të turizmit në rajonin tonë. Pa përjashtuar këtu edhe stimulimin e ofertës së agjencive apo operatorëve turistikë të të dy vendeve”.
“Shqipëria është një vend ku turizmi tashmë ka marrë një zhvillim të jashtëzakonshëm dhe që po rritet vit pas viti dhe çdo investim në infrastrukturë që e ndihmon këtë sektor është gjithmonë më shumë se i mirëpritur”, theksoi Çuçi.
“Ngritja e pikave të përbashkëta të kalimit kufitar ku aplikohët parimi “one-stop-shop”, siç do të aplikohet në këtë pikë të cilën ne e kemi parashikuar, konsiderohet një nga nivelet më të larta të bashkëpunimit ndërkufitar mes dy vendeve, ku aplikimi i standardeve të vendeve të Shengen, na sjell më afër edhe familjes evropiane. Nga kjo pikëpamje, çelja e kësaj pike të re, së pari do të ndikojë në rritjen e efektivitetit të kontrollit të vijës së kufirit përgjatë lumit Buna dhe së dyti do të vendosë më në pah vlerat turistike të ekosistemit të lumit Buna, liqenit të Shkodrës dhe traditat e banorëve të Ulqinit, Velipojës, malësisë së Tivarit apo edhe zonave përreth”.
Çuçi u shpreh se, “në vlerësimin tonë, gjitha pikat e kalimit kufitar në kufirin shtetëror ndërmjet Shqipërisë dhe Malin e Zi duhet të jenë të tilla, pra pika të përbashkëta të kalimit kufitar. eksperienca e deritanishme ka treguar përparësitë dhe përfitimet direkte të kryerjes së procedurave të përbashkëta të kalimit kufitar. Ne po punojmë me palën malazeze për të ndryshuar statusin edhe të pikave të tjera kufitare që kemi për t’i kthyer në pika të përbashkëta. Në interesin tonë, por edhe të malazezëve sigurisht, është gjithashtu edhe hapja e pikës tjetër të përbashkët, atë të kalimit kufitar në fshatin Zogaj”.