Kryeministri i Kosovës Albin Kurti para gazetarëve foli për takimet bilaterale me shefin e Politikës së Jashtme e të Sigurisë së BE-së, Josep Borrell, si dhe me emisarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ku sqaroi se takimi nuk ishte trelateral, për shkak se pala tjetër e ka refuzuar një gjë të tillë.

 

Kryeministri Kurti tha se u konfirmua që ka marrëveshje, por nuk pati takim, teksa kritikoi sjelljen joserioze të presidentit Vuçiç.

 

“Unë kam ardhur për t’u takuar për t’u marrë vesh që të kemi dakordësime e të ecim përpara”, tha kryeministri Kurti.

 

 

“Në fillim të takimit unë kam prezantuar një dokumentacion Borrell-it e Lajcak-ut lidhur me rrëmbimin e tre policëve të Kosovës në Leposaviç, më 14 qershor, kur janë bërë më shumë se një javë e që po mbahen peng nga Serbia në burgun e Kralevës”, duke kërkuar që ta dënojnë agresionin e Serbisë ndaj Kosovës publikisht.

 

Më tej Kurti bëri me dije se është diskutuar edhe për uljen e tensioneve, ku nënkuptohet largimin e grupeve kriminale që menjëherë do të përcillej me zvogëlimin e trupave të policisë në ndërtesën komunave.

 

“Ndërkaq sa i përket zgjidhjes më të qëndrueshme, natyrisht se ka nevojë për zgjedhje të parakohshme në katër komunat në veri me një proces qe i paraprihet nga sundimi i ligjit, nga një fushatë e hapur e fer dhe nga zgjedhjet e lira e demokratike”, tha ai.