Ish-kryeministri Sali Berisha ka mbajtur ditën e sotme konferencën e përjavshme me gazetarët, ku ka folur mbi çështjen e Portit të Durrësit.

 

Para pak ditësh gjykata kushtetuese rrëzoi kërkesën e opozitës për të anuluar marrëveshjen e shtetit shqiptar me Emiratet e Bashkuara Arabe për portin e Durrësit.

 

Bazuar në këtë ngjarje, Berisha tha gjatë fjalës së tij se gjykata kushtetuese është shndërruar në një aneks të PS.

 

Ish-kryeministri theksoi se marrëveshjen e Portit të Durrësit do t’a çojë në Strasburg.

 

Ndër të tjera, ai tha se Kushtetuesja ka marrë vendimet më antikushtetuese duke shkelmuar në mënyrë të tmerrshme interesin publik.

 

Sipas tij, me vendimin e marrë Kushtetuesja tregoi një qëndrim korruptim dhe antiligjor të pashembullt.

 

“Tani ju jeni informuar, Gjykata Kushtetuese dhe ajo është shndërruar në një aneks të PS-së. Ka marrë vendimet më antikushtetuese dhe ka shkelmuar në mënyrë të tmerrshme interesin publik. Duhet bërë një hetim nëse ata gjykatës kanë marrë ndonjë apartament në Dubai City të Edi Ramës, me vendimin që morën.

 

Të miratosh një marrëveshje e cila shkel në mënyrë flagrante marrëveshjen e stabilizim asociimit. Ndalem këtu, sepse në kushtetutën tonë dhe jo vetëm në të, marrëveshja ndërkombëtare prevalon mbi ligjin e vendit, predominon mbi ligjin e vendit.

 

Të përdorësh klauzolën e Kushtetutës që thotë se marrëveshja shqyrtohet para se të votohet në parlament, ëshytë një spekulim. Sepse ka një nen tjetër Kushtetuta që zgjat afatin e shqyrtimit të ligjit në dy vite dhe marrëveshja shkon si ligj, marrëveshja thotë ligj, aq më tepër kur kjo marrëveshje është në kundërshtim të hapur me marrëveshjen e stabilizim-asociimit dhe gjykata Kushtetuese është e detyruar ti japë përparësi marrëveshjes së stabilizim-asociimit përpara marrëveshjes së Durrësit.

 

E treta, siç e dini është një marrëveshje pa garë, e cila në vetvete është në shkelje të Kushtetutës, e cila garanton në nenet dhe frymën e saj garën e hapur dhe të lirë, kjo është bërë pa garë. Dhe këto nuk janë motive për gjykatën Kushtetuese, por njëlloj si të kenë marrë ndonjë apartament në Dubai City, duke treguar një qëndrim korruptim, antiligjor të pashembullt.

 

Ne do ta çojmë në Strasburg marrëveshjen e portit të Durrësit”, tha Berisha.