Nga Besart Xhaferri/

Mediet ndërkombëtare i kanë bërë një skaner zhvillimeve dramatike në Ekuador dhe teksa po i lexoja ndërmend me erdhi Shqipëria.

Vitet e fundit Ekuadori ka qenë gjithnjë e më prezent në mediet shqiptare për shkak të ngarkesave të kokainës që vinin nga ky vend dhe zbarkonin në Portin e Durrësit e më pas në vende të BE. 

Grupet kriminale shqiptare në këtë vend janë kthyer në faktor, teksa deri tani raportohet për 7 shqiptarë të vrarë në Ekuador nga përplasjet për drogën. 

Prej ditësh Ekuadori është në anarshi pasi grupet kriminale të fuqizuara nga paratë e kokainës i janë kundërvënë shtetit, duke guxuar të futen edhe Live në studio televizive të armatosur për të përcjellë mesazhet e tyre.
 
Kriminelët tashmë atje kanë bastionet e tyre, duke vendosur ligjin në to, teksa ushtria ka dalë në terren në një përballje direkte me to, duke shkaktuar dhe të vrarë mes civilëve nga përplasjet e armatosura. 

Ekuadori dikur ishte një parajsë e qetë në Amerikën Latinë, por injektimi i parave të krimit e ktheu në vend ku jeta nuk vlen as dy grosh dhe për fatin e qytetarëve të tij vendosin bandat. 

Shqipëria dekadën e fundit zhvillimin e ekonomisë e ka bazuar në paratë e kokainës që vjen nga Ekuadori dhe nëse nuk ngrihemi me forcë kundër këtij narkoshteti, nuk do jetë e largët dita kur Shqipëria të jetë në luftë civile mes narko-bandave dhe narko-shtetit!