Drejtuesi politik i Partisë Socialiste në Vlorë, Blendi Klosi, në një dalje për mediat, u shpreh se rezultati përfundimtar në qarkun që ai drejton ishte më i mirë se sa vetë PS priste.

 

Ai theksoi se të shtatë kandidatët në këtë qark dolën me vota më mirë se një vit më parë.

 

“Dolëm më mirë sa pritshmëritë tona. Të shtatë kandidatët tanë dolën me vota më mirë se sa rezultati i dy viteve më përpara. Kjo na bën për t’i dhënë atyre, të gjithë socialistëve vlonjatë, të shtatave bashkive të qarkut tonë falenderime nga zemra për atë çka ata bënë. Për çdo moment që na shoqëruan në fushatë që dëshmuan që në Vlorë gjithmonë PS do të marrë fitore spektakolare”, tha Klosi.

 

Sa i takon Himarës, ku fitoi kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Fredi Beleri, Klosi tha se dhe këtu  në krahasim me dy vite më parë janë rritur votat për socialistët.

 

“Pa ne është kandidati i Himarës që pavarësisht se nuk fitoi mori një rezultat shumë më të mirë sesa dy vite më përpara. Ama kundërshtarët arritën që në Bashkinë e Himarës të dyfishojnë votat. Pra nga 2195 vota shkuan në 3887, pra kundërshtarët u shtuan me dyfish vota duke na çuar në një situatë jo fituese në Himarë. Gjithsesi socialistët aty na mbështetën dhe sollën plot 400 vota më shumë se sa dy vite më parë”, tha Klosi.