Këtë të premte, Policia Rrugore në Tiranë, ka zhvilluar kontrolle,  në zbatim të planit operacional për kontrollin e automjeteve dhe motomjeteve që qarkullojnë ndërkohë që kanë gjoba të pa paguara.

 

Bëhet me dije se janë kontrolluar 932 mjete dhe motomjete, nga të cilat ka rezultuar se 102 prej tyre e kanë kaluar afatin e shlyerjes së masës administrative dhe ndaj tyre do të kryhen veprimet proceduriale nga shërbimet e Qarkullimit Rrugor.

 

Ndërkohë policia ka njoftuar se plani operacional do të vazhdojë dhe në ditët në vijim.

 

“Komisariati Rajonal i Policisë Rrugore Tiranë, në bashkëpunim me Komisariatet në varësi të DVP Tiranë, ditën e sotme, në zbatim të planit operacional për kontrollin e automjeteve dhe motomjeteve që qarkullojnë ndërkohë që kanë disa masa administrative të pashlyera, kanë ngritur pika kontrolli me qëllim evidentimin e drejtuesve të këtyre mjeteve dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore.

 

Gjatë ditës të sotme, janë kontrolluar në total 932 mjete dhe motomjete. 102 prej tyre kanë rezultuar se kanë kaluar afatin njëmujor të shlyerjes së masave administrative dhe po kryhen veprimet procedurale nga shërbimet e Qarkullimit Rrugor, ndërsa janë këshilluar për shlyerjen e tyre, drejtuesit e automjeteve që janë brenda afatit njëmujor”,-thuhet në njoftimin e policisë.