Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka deklaruar se është e rëndësishme që vendi i tij dhe Bjellorusia të “ndërveprojnë ngushtë në skenën botërore” dhe të mbështesin njëri-tjetrin.

“Është e rëndësishme që Rusia dhe Bjellorusia, në kushte të presionit të jashtëm të paprecedentë, të ndërveprojnë ngushtë në skenën botërore dhe në mënyrë të pashmangshme dhe të pandryeshme t’i ofrojnë njëra-tjetrës mbështetje reciproke të vërtet aleate”, tha Putin në një takim të Këshillit e Lartë Shtetëror të Rusisë dhe Bjellorusisë.

Rusia dhe Bjellorusia janë zyrtarisht pjesë e një ‘Shtet Bashkimi’ dhe kanë qenë në bisedime prej vitesh për t’u afruar së bashku, një proces që është përshpejtuar vitet e fundit.

Gjatë takimit, ku mori pjesë edhe presidenti i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko, Putin tha se qasja e Moskës dhe Minskut ndaj problemeve aktuale globale dhe rajonale “përkojnë ose janë kryesisht të ngjashme”.

Më tej, ai tha se programi i veprimeve të koordinuara për të cilat kanë rënë dakord deri në vitin 2026 do të shërbejë për vazhdimin dhe zhvillimin e koordinimit rusi-bjellorus në çështjet ndërkombëtare.

“Në interes të formimit të një rendi botëror vërtet miltipolar, demokratik dhe të drejtë, duke garantuar siguri të barabartë dhe pandarë, ne do të punojmë së bashku”, tha presidenti rus.

Duke u shprehur se tregtia e ndërsjellë midis dy vendeve po rritet në mënyrë të qëndrueshme nga viti në vit, Putin tha se Bjellorusia është bërë një “fuqi bërthamore” me ndërtimin e termocentralit të parë bërthamor të vendit.

Lukashenko, nga ana e tij, tha se gjatë dy ditëve të fundit ai dhe homologu i tij rus kanë analizuar ngjarjet që po ndodhin në botë, duke u shprehur se konfliktet që po ndodhin janë shenja se po vjen një botë multipolare.

“Siç tha ministri i jashtëm rus, monopolisti nuk e dëshiron këtë. Ata po përpiqen të mbajnë një botë unipolare duke përdorur metoda të ndryshme dhe kanë arritur në pikën e konflikteve të armatosura”, tha Lukashenko./aa