Rebelimi i armatosur i shefit të Wagner, Yevgeny Prigozhin, është përshkallëzuar në mënyrë dramatike në orët e fundit, aq sa detyroi Presidentin rus Vladimir Putin që t’i drejtohej kombit me një video-mesazh, duke premtuar ndëshkimin e atyre që i konsideroi tradhtar.

 

Dikur ish-aleat dhe kuzhinieri personal i Putin, shefi i Wagner duket se e ka prerë në besë kreun e Kremlinit, aq sa ky i fundit u shpreh se ajo që po ndodh është “thikë pas shpine për Rusinë”.

 

Ndërkohë, zhvillimet e fundit trgojnë se Prigozhin ka shtënë në dorë plotësisht Rostovin, me tanket e Wagner të drejtuar nga selia ushtarake e rajonit. Përveç kësaj zone strategjike ai pretendon se gjatë orëve të para të së shtunës ka marrë nën kontroll edhe objektet kryesore ushtarake në qytetin e Voronezh, që gjendet rreth 310 milje larg Moskës.

 

Prigozhin tha në një video se ai ndodhet në Rostov-on-Don, në Rusinë jugore, afër kufirit me Ukrainën, dhe se forcat e tij kanë kontrollin e objekteve ushtarake dhe aeroportit atje.

 

Ai u zotua të bllokojë Rostovin dhe të shkojë në Moskë nëse ministri rus i Mbrojtjes dhe gjenerali i lartë nuk takohen me të në qytet, ku është selia e Qarkut Ushtarak Jugor të Rusisë.

 

Rostov-on-Don është pikë strategjike sepse selia e tij ushtarake koordinon operacionet në Ukrainë, ka thënë një ish-oficer i inteligjencës së ushtrisë britanike.

 

Lëvizja e Prigozhin vjen pasi ai tha se luftëtarët e tij po hynin në rajonin e Rostovit të premten dhe se Garda ruse dhe policia ushtarake i janë bashkuar grupit Wagner, por CNN nuk mund të verifikojë në mënyrë të pavarur pretendimet e tij.

 

Sakaq fotot dhe videot që qarkullojnë në mediat sociale, kryesisht në Telegram tregojnë trupat e Wagner që kanë vendosur nën kontroll të plotë Rostovin, me ushtarë të armatosur rëndë dhe tanke e blinda që kanë rrethuar godinat kryesore.

 

Fotot tregojnë automjete ushtarake në rrugë dhe në mëngjes herët ka pasur raportime për helikopterë që ishin ngritur mbi qytet.