Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, deklaroi se po i ndjek nga afër ngjarjet që nisën me revoltën e Grupit Wagner kundër administratës ruse dhe theksoi se kjo është çështje e brendshme e Rusisë.

 

Michel, në një deklaratë në llogarinë e tij në Twitter, deklaroi se BE-ja po monitoron nga afër situatën në Rusi.

 

Ai theksoi se është në kontakt me liderët evropianë dhe partnerët e G7-s.

 

“Kjo është qartë një çështje e brendshme e Rusisë”, shtoi zyrtari i lartë evropian.

 

“Mbështetja jonë për Ukrainën dhe presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy është e palëkundur”, përsëriti Michel.

 

Ndryshe, tensionet midis Wagnerit dhe Moskës u rritën pasi themeluesi i grupit paraushtarak, Yevgeny Prigozhin, akuzoi ushtrinë ruse për sulm ndaj mercenarëve të tij dhe u kërcënua se do të hakmerret.

 

Pas kësaj situate, autoritetet ruse lëshuan urdhër arresti ndaj Prigozhinit me akuzën për “rebelim të armatosur”.

 

Ministria ruse e Mbrojtjes i mohoi akuzat për sulm ndaj kampeve të Wagnerit.

 

Në një deklaratë këtë mëngjes, ministria u bëri thirrje të gjithë luftëtarëve të Wagnerit që të jenë të përmbajtur dhe të kontaktojnë autoritetet ligjzbatuese.

 

Ndërkaq, presidenti rus Vladimir Putin, në një fjalim drejtuar kombit, e akuzoi Prigozhinin për tradhti, pasi forcat e grupit paraushtarak kaluan kufirin nga Ukraina në Rusi, duke hyrë në qytetin e Rostovit.

 

Autoritet ruse në Moskë dhe qytete të tjera kanë shtuar masat e sigurisë në vazhdën e zhvillimeve të fundit.

 

Prigozhin në muajt e fundit ka akuzuar vazhdimisht Rusinë se nuk e furnizon me armë të mjaftueshme grupin paraushtarak që ka luftuar përkrah ushtrisë ruse në Ukrainë./AA