Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, në një reagim në rrjetet sociale këtë shtunë, ngriti shqetësimin se shpopullimi i fshatit në Shqipëri, po sjell dhe uljen e numrit të krerëve të gjës së gjallë.

 

Ish Presidenti Ilir Meta nënvizon se “shfarosja e blegtorisë në 4 vitet e fundit është një rekord i pashembullt në rajon dhe Europë dhe pasqyrë e saj është braktisja e fshatit dhe shpopullimi i tij.

 

Kjo është pasojë e mbylljes së fermave, stallave, staneve, baxhove, mosmbështetjes së fermerëve dhe “shtrydhjes” së prodhimit vendas me zgjedhën tatimore më mizore në kontinent, që po i shkaktohet një vendi dhe një populli tradicionalisht dhe historikisht të lidhur me blegtorinë”.,- argumenton Meta.

 

“Nga rreth gjysëm milion krerë lopë para katër vitesh sot kanë mbetur më pak se gjysma, që sipas INSTAT po firon dhe kjo çdo vit me rreth 10%. Një litër qumësht në Shqipëri, vendin më të varfër të Europës, shitet më shtrenjtë se në Gjermani, Francë dhe Itali, dhe 12% më shtrenjtë se mesatarja europiane.  Ndërkohë që 18% e buxhetit të BE shkon vetëm për blegtorinë, as 1% e buxhetit tonë nuk shkon për bagëtitë dhe prodhimin e tyre”,- evidentoi Meta.

 

Sipas tij, ky është shkaku, që qumështi te ne rrjedh vetëm në një drejtim nga jashtë brenda. “Me çmime të fryra përtej çdo logjike financiare dhe ekonomike për të pasuruar korporatat dhe kompanitë importuese dhe varfëruar prodhuesin vendas dhe qytetarin konsumator.  Është e shkaktuar dhe e provokuar! Vetëm një qeverisje patriote dhe e përkushtuar e ndal këtë rrënim!”,- përfundon Meta reagimin e tij në rrjetet sociale.