Është zhvilluar ceremonia hapëse e Kampionatit Europian Universitar të Futbollit, që do të zhvillohet në Tiranë e ku marrin pjesë 28 skuadra djem e vajza nga e gjithë Europa, teksa do të marrë pjesë edhe një ekip nga Universiteti “Fan S. Noli” i Korçës.

 

Federata Shqiptare e Futbollit është partnere në mikpritjen e këtij aktiviteti ndërkombëtar, që organizohet nga Federata Evropiane e Sporteve Universitare (EUSA) dhe Federata Shqiptare e Sportit Universitar.

 

Në ceremoninë hapëse të kampionatit ishte e pranishme ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Evis Kushi, presidenti i FSHF-së, Armand Duka, presidenti i Federatës Evropiane të Sporteve Universitare (EUSA), Adam Rozcek si edhe personalitete të tjera.

 

Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Evis Kushi, në fjalën e saj, i uroi suksese Kombëtares shqiptare në kualifikueset e Euro 2024, teksa falënderoi FSHF-në dhe Presidentin Duka për mbështetjen në organizimin e këtij eventi në Shqipëri.

 

“I uroj kualifikimin Shqipërisë në finalet e Euro 2024. Jemi të dytët në grup dhe kemi shanse të mira të shkojmë në Europian. Shqipëria, edhe pse e vogël, ka talente, që kanë vëmendjen tonë dhe i mbështesim. Faleminderit FSHF dhe presidentit Duka për mbështetjen e dhënë në organizimin e këtij eventi”, tha Kushi.

 

Në fjalën përshëndetëse të mbajtur me këtë rast Presidenti i FSHF-sw, Duka u shpreh i kënaqur që një aktivitet i këtyre përmasave zhvillohet në vendin tonë si edhe vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme që Ministria e Arsimit, Rinisë dhe Sportit i jep sportit në përgjithësi dhe futbollit në veçanti.

 

“Jam vërtetë i emocionuar si rrallëherë tjetër. Kam shumë vite në drejtim të Federatës së Futbollit, kam përjetuar shumë aktivitete. Kur pashë gjithë këta studentë që parakaluan këtu, kur mendova që vijnë nga shumë anë të Europës, më shkuan shumë gjëra nëpër mendje. Dhe për këtë jam shumë i kënaqur që kam mundësinë t’i përshëndes dhe t’i falënderoj të gjithë studentët futbollistë që janë në Tiranë, në Shqipëri, për këtë aktivitet shumë të rëndësishëm. Përshëndes ministren e Arsimit që është në këtë event dhe që nuk mungon në të gjitha eventet sportive. E falënderoj jo vetëm për pjesëmarrjen, por edhe për mbështetjen e vazhdueshme që i jep sportit në Shqipëri dhe në veçanti atij që është sporti më i bukur, futbolli”,  tha Duka, duke ftuar pjesëmarrësit që ta shijojnë sa më shumë këtë eksperiencë, por edhe të kalojnë kohë sa më të bukur në Shqipëri.

 

“Do doja të falënderoja shumë presidentin e Federatës Europiane të Futbollit Universitar, Adam Roczek dhe presidentin e Federatës Shqiptare të Sporteve Universitare që na dhanë mundësinë, e rikthyen Tiranën, e rikthyen Shqipërinë në qendër të vëmendjes së Europës – pas asaj finaleje shumë të bukur të Conference League majin e shkuar – me një aktivitet akoma më të bukur. Jemi në ceremoninë e hapjes dhe kemi të bëjmë me një kampionat, me një garë, me emocione për ta fituar atë. Unë i ftoj futbollistët, që përveç garës ta shijojnë atë.

 

Përveç emocioneve dhe grintës për fitore, shijojeni garën, shijojeni qëndrimin në Shqipëri. Unë mendoj dhe nuk besoj se gaboj, që Shqipëria është vendi më i bukur në botë dhe keni fatin të jeni këtu. Uroj të mos jetë hera e fundit që vini në Shqipëri, por të riktheheni sërish, jo vetëm si futbollistë, por edhe me profesionet që do të keni në të ardhmen. Nga ky grup që është këtu mbase kemi liderë të fushave të ndryshme, që mund të bëhen edhe liderë shtetesh. Uroj të ktheheni sërish, uroj që të bëni futboll gjithë jetën”, – u shpreh Presidenti i FSHF-së ndërsa në fund theksoi mesazhin që përcjell futbolli, që i bashkon të gjithë dhe krijon ura bashkëpunimi.

 

Gjithashtu, ai i ftoi të gjithë të mbështesin Kombëtaren shqiptare në ndeshjet e shtatorit në kualifikueset e Euro 2024.

 

“Nuk dua ta zgjas shumë, besoj nuk është vetëm kampionat, por është një mesazh që e thanë edhe parafolësit, sepse nëpërmjet sportit bëhemi më të shëndetshëm, nëpërmjet sportit bëhemi të dobishëm për veten dhe të tjerët. Gjithashtu sporti na bashkon, siç tha edhe presidenti i Federatës Europiane, sporti krijon ura bashkëpunimi dhe kryesisht kjo ndodh përmes futbollit. E thënë nga gjithë parafolësit, që nuk janë direkt nga futbolli, është e tepërt ta them edhe unë. Shijojeni kampionatin, shijojeni Tiranën, merrni nga një pjesë Shqipërie kur të ktheheni në shtëpi dhe uroj të riktheheni sërish këtu. Dhe mos harroni të bëni tifozllëk për Shqipërinë në shtator”,  tha Duka.

 

Gjatë ceremonisë folën edhe presidenti i Federatës Evropiane të Sporteve Universitare (EUSA), Adam Rozcek si edhe presidenti i Federatës Shqiptare të Sportit Universitar, Besnik Veliu, të cilët gjithashtu vlerësuan përkrahjen që kanë marrë nga FSHF në organizimin e këtij kampionati dhe eksperiencën e vyer të qeverisë së futbollit shqiptar.

 

FSHF si partnere e këtij kampionati do të vërë në dispozicion fushat në Shtëpinë e Futbollit dhe në Qendrën e Ekipeve Kombëtare në Kamzës, ku do të zhvillohen ndeshjet si edhe bazë materiale.

 

Gjithashtu, Federata Shqiptare e Futbollit do të sigurojë arbitra për ndeshjet dhe do të asistojë në organizimin e kampionatit, duke pasur parasysh eksperiencën e madhe ndërkombëtare që stafi FSHF-së ka në zhvillimin e aktiviteteve me pjesëmarrje kaq të madhe.